Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka promovuar librin “Pronësi ndërkombëtare apo lokale? Zhvillimi i sektorit të sigurisë në Kosovën e pas-pavarësisë” me autor Florian Qehaja.
Burim Ramadani, zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka thënë se ky libër përmban idenë e përfshirjes së vendorëve në ide të sigurisë që sipas tij në periudha të ndryshme ka munguar, raporton EkonomiaOnline.
“Mendoj që pronësia lokale është përcaktuese për përmbylljen e dekadës së pavarësisë. Koha kur ky libër po u shfaqet lexuesve, mendoj që është jashtëzakonisht e rëndësishme. Mendoj që Floriani është shembulli më tipik i gjeneratës re të Kosovës që jam i bindur që e ardhmja i ka rezervu një vend të veçantë”.
Agon Maliqi, themelues i SBUNKER, ka thënë se ky libër është i rëndësisë së veçantë edhe në aspekt personal të autorit, edhe të përgjegjësive ndaj çështjes së sigurisë dhe shtetndërtimit.
“Domethënia e librit është shumë e rëndësishme edhe në aspektin personal për Florianin, por e tregon edhe marrjen e përgjegjësisë që e ka marrë përsipër shoqëria civile. Shpesh shoqëria civile cilësohet si një lloj antagonisti me pushtetin, i cili është një lloj kritiku, gjithsesi mendoj që me botimin e librit është një ndihmesë në shtimin e kapaciteteve të QKSS”.
“Libri e jep një shqyrtim të rolit të bashkësisë ndërkombëtare dhe se si jemi ne në raport me bashkësinë ndërkombëtare. E trajton fazën e parë kur nuk kemi pasur aspak, kur bashkësia ndërkombëtare ka qenë këtu pa një strategji dhe ka kriju problem në atë se si ne i kemi trajtu institucionet dhe mekanizmat e llogaridhënies. Vazhdon me fazën e dytë ku përkundër marrjes së përgjegjësisë në fusha të tjera, siguria mbetet në një farë lloj hezitimi ku ka një theksim të mosbesimit. Këto dy faza janë të rëndësishme për fazën e tretë, ku Kosova po i merr përgjegjësitë e fundit, qoftë ne themelimin e forcave të sigurisë, qoftë në anëtarësimin e mekanizmave ndërkombëtare”.
“Tri mësime që unë i kam marrë. E para është që duhet të mësohemi me ndjenjën e të pasurit të një agjencie dhe të mos presim, që rrethanat të na imponojnë gjërat. E dyta është çështja e krijimit të një tradite institucionale. E kemi pasë një shkëputje prej sistemeve paraprake, prej fundit kemi fillu me i ndërtu gjërat dhe këto i kemi ndërtu që nga fillimi. Shpesh nuk i kemi kriju më bazë të kritereve profesionale dhe kjo na ka lënë me shumë mangësi. Duhet të bëhemi më serioz në arenën ndërkombëtare. E treta është mënyra si duhet ta trajtojmë bashkësinë ndërkombëtare. Shpesh raporti ynë shihet vetëm në formë formale në përfshirjen në organizata, pak kemi folur sa kemi arritë t’i përdorim këto mekanzima për ndërtimin e kapaciteteve”.
Autori, Florian Qehaja, ka thënë se ky libër ka për qëllim që të dërgojë mesazhe konkrete për fushën e sigurisë, raporton EO.
“Ky libër i relflekton gjetjet e mia të punës në doktoraturë. Është i publikuar në gjuhën angleze para dy vitesh por kam dashur edhe shqip, që të jetë i destinuar për audiencën shqipfolëse, ka një korpus të ngushtë të literaturës shqipe sidomos në fushën e sigurisë në Kosovë. Libri përveç kontributit akademik ka pasur qëllim të ketë evokim për procese të shtetndërtimit. Është një ndër projektet tona që me evoku në çështjen e sigurisë në Kosovë. Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet, duhet ta përmbyll fazën e arkitekturës së sigurisë dhe Kosova duhet të jetë anëtare e forcave të sigurisë.”
Ai vlerëson se si shoqëri civile e kanë një barrë shtesë që përveç rolit të tyre, kontribuojnë edhe në shtetndërtim.
“Me zbërthye nga politika në aspekt akademik, është teoria shtetndërtimit dhe ndërtimit të paqes. Ky zbërthim është aspekti origjinal qe unë kam kontribu”.