Florindo e kompleton rrugëtimin e jashtëzakonshëm nga Haiti në Lojërat Dimërore të të Rinjëve

Prishtinë | 17 Jan 2020 | 14:00 | Nga Ekonomia Online

I lindur në Haiti, i adoptuar në moshën trevjeçare dhe i rritur në Francë, Mackenson Florindo nuk është një skitar tipik.

Tash 17-vjeçar, Florindo është bërë olimpisti i parë dimëror nga Haiti në një moment që koincidon me dhjetëvjetorin e tërmetit që shkatërroi ishullin në Karaibe.

Garuesi i vetëm i Haitit në Lojërat Olimpike Dimërore të të Rinjve në Lausanne këtë vit, Florindo përfundoi i 51-i nga 77 garues në sllallomin e madh të hënën në Les Diablerets dhe nuk e përfundoi fare garën në sllallom.

Mirëpo për të kishte rëndësi vetëm fakti se e përfaqësoi Haitin në Lojërat Olimpike Dimërore të të Rinjve.

“Është një moment shumë i mirë, i jashtëzakonshëm. Kam bërë disa shokë të rinj. Ishte e vështirë gara, por jam i lumtur me të. Ka qenë shumë emocionuese dhe e rëndësishme për mua, pasi nuk kam menduar se do të jem këtu. Kur erdha e dija se gara do të jetë e vështirë dhe dhashë më të mirën. E di se çfarë duhet të bëj që të përmirësohem dhe do të punoj në atë aspekt”, ka thënë Florindo.

Nëna adoptuese e skitarit, Valerie Florindo, ishte shumë krenare me të.

“Ai është paraqitur shumë mirë. Është shumë kënaqësi, pasi mundohem që gjithmonë ta përkrah atë sa më tepër që është e mundur”, ka thënë Florindo.

Florindo është lindur në një familje haitiane në fshatin Verrettes, rreth 60 kilometra në veri të kryeqendrës, Port-au-Prince, në vitin 2002. Pasi familja e tij nuk mund të përballonte të ushqente atë dhe ta rriste në mënyrë të denjë, nëna biologjike e dërgoi djalin në jetimore në vitin 2005, kur ai ishte trevjeçar. Gjashtë muaj më vonë ai u dërgua në një jetimore në Francë. Nga atje u adoptua nga familja Florindo dhe është rritur në një rajonn malor në afërsi të Grenobles..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme