FMN: Bankat në Kosovë janë në pozitë të shkëlqyeshme

Prishtinë | 05 Dhj 2018 | 12:57 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Përfaqësuesi rezident i Fondit Monetar Ndërkombëtarë në Kosovë, Ruud Vermeulen, tha se bankat në Kosovë janë në pozitë të shkëlqyeshme për të absorbuar tronditjet nga ndonjë krizë, transmeton Ekonomia Online.

“Niveli i ulët i ndërmjetësimit financiar mund të pengoj rritjen në efiçiencën e alokimit. Sistemi bankar i Kosovës është shumë i shëndetshëm sidomos kur krahasohet me vendet në rajon. Bankat e Kosovës janë në pozitë të shkëlqyeshme për me absorbu tronditjet e ardhshme për shkak se janë shumë mirë të kapitalizuara. Krejt bankat në Kosovë janë mbi minimumin rregullativ dhe kjo është shumë pozitive. Sektori bankar po qëndron shumë mirë. Qasja e penguar në financa e pengon bërjen e biznesit në Kosovë. Është shenjë e mirë qe sektorët si tregtia e bujqësia po marrin kredi sepse kjo do të thotë zhvillim i këtyre sektorëve dhe rritje të vendeve të punës”, tha Vermeulen.

Këto komente, Vermeulen i bëri në panelin “Financimi i zhvillimit: Bankat për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë” në kuadër të konferencës vjetore të Bankave të Kosovës.

Ndër të tjera aty u tha se ndikimi i bankave duhet të jetë edhe më i fuqishëm në rritjen e ekonomisë së vendit.

Eriola Bibolli zëvendës-drejtoreshë e Pro Credit Bankës në Kosovë tha se rritja ekonomike dhe kontributi i bankave nuk vjen në vakum. Për te mundësuar rritjen ekonomike, sipas saj, kërkohet stabilitet politik, ekonomik e fiskal.

Sokol Havolli zëvendës guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, tha se ndikimi i bankave duhet të jetë më i fuqishëm në rritjen ekonomike të vendit. Sipas tij, ka përmirësim të standardeve kreditore.

“Ajo çka ka ndryshuar këto vite është se kemi marrë më shumë përvojë. Kemi përmirësim të standardeve kreditore, maturiteti i kredive është në rritje. Është me rëndësi që bankat ta ruajnë rolin aktiv që kanë. Për ti marr mësimet se si mund të kontribuoj sistemi bankar në rritje ekonomike është mirë ta dimë sjelljen e sistemit para krizës gjatë saj dhe pas krizës. Mësim që kemi marrë është se sjellja e bankave gjatë kohës së krizës  së vitit 2008 ka qenë më e shtrënguar se sa që duhet. Tregjet e kapitalit global janë në luhatje, zhvillimet në eurozonë janë mjaft të vështira sidomos ekonomia e Italisë. Ndërmjetësimi financiarë në Kosovë vazhdon të jetë më i ulëti në rajon prandaj duhet të mos e humbim hapin dhe të kem një ndërmjetësim më të madh. Bankat kanë një rol jashtëzakonisht të madh dhe ato duhet të ofrojnë produkte të lira. Kushtet makroekonomike në Kosovë janë në përmirësim gradual”, tha Havolli.

Drejtori i Thesarit në Ministrinë e Financave, Ahmet Ismajli tha se ministria zotohet qe të kontribuoj në stabilitetin financiar të vendit

“Industria bankare ka kapacitete të zhvilluara. Norma e rritjes ekonomike ka qenë mbi normën e rajonit. Ne e dimë që bankat kanë luajt një rol shumë aktiv në mbështetjen e ekonomisë. Ne vazhdojmë të zotohemi në stabilitetin financiar të vendit. Na gëzon fakti qe bankat janë të stabilizuara mirë. Jemi duke bashkëpunuar me fondin e garantimit të kredive sa i përket lirisë së qasjes në financa.  Sa i përket tregut të letrave me vlerë ne jemi dike bashkëpunuar me bankat”, tha ai.

Rinor Gjonbalaj kryetar i Bordit Fondi Kosovar për Garanci Kreditore tha se përmes këtij fondi deri tash rreth dy mijë biznese kanë marrë kredi të cilat kanë gjeneruar edhe vende të reja të punës

“Në 2016 është krijuar fondi dhe gjatë këtyre dy viteve kemi krijuar një institucion të qëndrueshëm të pavarur dhe stabil. Fondi është partner i të gjitha institucioneve financiare. Deri tash i kemi garantuar rreth 2000 kredi për biznese”, tha Gjonbalaj.


Të ngjashme