FMN-ja i jep afat Qeverisë për veteranët

Prishtinë | 25 Pri 2017 | 09:47 | Nga

Drejtor i Zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë ka dhënë një deklaratë lidhur me diskutimet e autoriteteve të Kosovës me stafin dhe menaxhmentin e lartë të FMN-së në Uashington gjatë Takimeve Pranverore 2017.

Ai ka vlerësuar se diskutimet kishin në fokus performancën e programit dhe masat e nevojshme për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit.

Vermeulen ka tërhequr vërejtjen që deri në fund të muajit maj të bëhet riklasifikimi i veteranëve të luftës së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

“Performanca në kuadër të programit të mbështetur nga Fondi vazhdon të jetë e fortë. Autoritetet i kanë përmbushur të gjitha caqet fiskale për fundin e muajit mars, si dhe janë të bindur se deficiti i buxhetit në vitin 2017 do të mbahet në kuadër të limiteve të rëna dakord”, thuhet në dekrlaratën e përfaqësuesit të FMN-së.

Sipas tij, sistemi bankar është i shëndoshë, me nivel solidë të kapitalit dhe likuiditetit, me kredi joperformuese në nivelin më të ulët historik, si dhe kanë shënuar fitime të qëndrueshme. Reformat strukturore në fushën e zbatimit të kontratave dhe prokurimin publik janë duke avancuar, gjë që do të ndihmojë në zhbllokimin e kredive bankare dhe do të përmirësojnë mjedisin e biznesit.

“Është kritike që ky progres të vazhdojë dhe që autoritetet t’i realizojnë të gjitha masat e mbetura për të siguruar përmbyllje të suksesshme të programit. Në veçanti, kjo do të kërkojë: Riklasifikimin e veteranëve të luftës deri në fund të muajit maj, pas shpalljes nga presidenti të Ligjit për veteranët e luftës, me ndryshime e plotësime”, thuhet në deklaratën e Vermeulen.

“Për ta ruajtur integritetin e procesit të pritur, riklasifikimi duhet të bazohet në vlerësime të besueshme të kohëzgjatjes së shërbimit të veteranëve gjatë luftës.  Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit për invalidët e luftës deri në mes të muajit maj, ashtu që kriteret për kualifikim për invaliditet të luftës të jenë në përputhje me ato të aftësisë së kufizuar civile”, thekson ai.

“Harmonizimi i kritereve do të sigurojë paanshmëri dhe barazi në trajtim. Këto masa do të sigurojnë që shpenzimet në skemat e përfitimeve të lidhura me luftën të jenë të qëndrueshme, duke liruar kështu hapësira për shpenzime më të larta në fusha prioritare siç janë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura”, thotë ai.

Vermeulen ka shpjeguar se në Uashington është rënë dakord se do të jetë thelbësore që veprimet të merren brenda periudhës së paraparë kohore meqë programi do të përfundojë vetëm pas pak muajsh. Përfundimi i suksesshëm i programit do t’i përforconte rezultatet e arritura me vështirësi përgjatë dy viteve të fundit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme