Kosovën e ka lavdëruar Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili ka bërë me dije se vendi i ka zbatuar rekomandimet e Sistemit të Përhapjes së të Dhënave të Përgjithshme i njohur si (e-GDDS), dhe i miratuar nga Bordi Ekzekutiv i Fondit në maj të vitit 2015.
Sipas këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar, Kosova, ka publikuar të dhëna kritike përmes një versioni të përmirësuar të faqes kombëtare të të dhënave, e cila postohet në faqen e internetit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Aty, përfshihen statistikat e publikuara nga prodhuesit zyrtar të të dhënave, përkatësisht Banka Qendrore, Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe Ministria e Financave.
Faqja synon të shërbejë si një mjet për publikimin me në një vend të të dhënave thelbësore makroekonomike – si në formate të lexueshme nga njerëzit ashtu edhe nga makinat.