Fondi Monetar Ndërkombëtar ka njohur angazhimin dhe qeverisjen efektive të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës në ruajtjen e qëndrueshmërisë së sistemit bankar.
Sipas vlerësimeve të FMN-së, sektori bankar ka arritur të përballojë mirë situatën e krijuar, si rezultat i masave të ndërmarra për përballimin e pandemisë.
Bankat e kanë përballuar mirë recesionin deri më tani, duke u mbështetur në nivelet e larta të likuiditetit dhe të kapitalit të para pandemisë Covid-19, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit të sistemit financiar.
FMN gjithashtu, ka njohur edhe masat e ndërmarra nga ana e BQK-së për ristrukturimin e kredive, ndërsa në dhjetor të vitit 2020, të gjitha bankave iu kërkua të zbatojnë kërkesat rregullatore që kanë qenë në fuqi para pandemisë Covid-19. Të dhënat paraprake sinjalizojnë një portofol të shëndetshëm të kredive, me mundësi për një rritje të lehtë të kredive joperformuese në muajt në vijim.
Në fund të vitit 2020 asetet e sektorit bankar shënuan rritje prej më shumë se 12 përqind. Niveli i kredive joperformuese ishte 2.63 për qind, raporti i mbulueshmërisë së kredive joperformuese me provizione ishte 143.27 për qind, përderisa raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 16.7 përqind, thuhet në raport.
Reformat e zbatuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës në vitet e kaluara, të cilat u fokusuan në forcimin e sigurisë financiare dhe kornizës mbikëqyrëse bankare, ndihmuan në zbutjen e presioneve nga pandemia.
Shumë nga reformat e zbatuara, janë disenjuar me mbështetjen e FMN-së dhe BQK-ja mbetet e përkushtuar të vazhdojë forcimin e kapaciteteve dhe sistemeve të saj, përfshirë edhe zbatimin e rekomandimeve që kanë dalë nga raporti i Rishikimit të Stabilitetit të Sistemit Financiar.
Së këndejmi, drejtorët ekzekutivë të FMN-së rekomanduan autoritetet që të monitorojnë nga afër cilësinë e aseteve bankare, të sigurojnë transparencë në pasqyrimin e humbjeve pasi të hiqet toleranca rregullatore dhe të forcojnë më tej kornizën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.