Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përfunduar vizitën në Kosovë. Me këtë rast udhëheqësi i Misionit të FMN-së, Jacques Miniane ka thënë se rritja ekonomike ka qenë shumë e mirë në tre muajt e fundit dhe ky sipas tij, është lajm i mirë.
“Së pari më lejoni të filloj me një lajm të mirë rritja ekonomike ka qenë shumë e mirë për tre muajt e fundit kështu që ne si FMN i kemi rritur parashikimet tona për rritjen ekonomike edhe për këtë vit por edhe për vitin e ardhshëm. Ky është lajm i mirë edhe për të hyrat edhe për qytetarët por edhe për vet buxhetin i cili do të mbështes këto të hyra tatimore. Më lejoni të them para se të shkojmë te buxheti i viti 2018 se presim një deficit prej 1.5% për këtë vit sipas rregullës fiskale. Siç e dini buxheti i 2017 kishte cekur një deficit për 1.5 për qind pastaj sipas mendimit tonë ky deficit i paraparë është i besueshëm kështu që ne presim që edhe kjo të realizohet dhe ky është një rezultat i jashtëzakonshëm për çdo shtet që është në vit zgjedhor”.
“Ne jemi poashtu të bindur se deficiti do të përmbahet brenda rregullit vitin e ardhshëm. Një parim kyç që jemi pajtuar është se buxheti duhet të vazhdoj të bazohet në të hyra të besueshme tatimore dhe jo tatimore. Ne kemi arritur dakord për parashikimet e të hyrave dhe ne nuk do të ishim pajtuar nëse do të besonim se nuk janë të besueshme kështu që ky është një indikacion që është një tregues që ne kemi një besim të plotë sepse ato do të realizohen. Një parim tjetër që kemi rënë dakord ka të bëjë me frenimin e shpenzimeve dhe ky ishte element kyç në programin i cili përfundoi që kemi pasur ne si FMN me Kosovën sepse ideja është që të ruajmë hapësira të mjaftueshme në buxhetin e Kosovës për shpenzime prioritare për arsim, shëndetësi, në infrastrukturë”.
Sa i përket rritjes së pagave, ai ka thënë që ato duhet të rriten gradualisht në përputhje me rritjen ekonomike dhe se për këtë janë marrë vesh edhe me ministrin e Financave Bedri Hamza, raporton Ekonomia Online.
“Buxheti është ende në diskutim e sipër në kabinetin qeveritar, ende do të diskutohet në Kuvend, por ne kemi besim të mirë që shpenzimeve do të jenë në nivel të mirë dhe do të përmbahen. Ju e dini si ka qenë historia në Kosovë me pagat publike deri më tani ka pasur rritje të jashtëzakonshme mbi rritjen e ekonomisë në shpërpushje me të gjitha parashikimet dhe kjo nuk ishte në rregull. Ideja është që pagat të rriten gradualisht, rregullisht në mënyrë të arsyeshme në përputhje me trendët ekonomike”.
Ai ka thënë se buxheti për vitin e ardhshëm të jetë i bazuar në parashikime reale, por ka kërkuar që shpenzimet të jetë për investime kapitale.
“Ne jemi përqendruar në buxhetin e 2018 dhe jemi pajtuar në disa parime të rëndësishme dhe kjo është shumë me rëndësi, pikë së pari jemi pajtuar për rëndësinë e respektimit të të rregullës fiskale dhe limitit të deficitit pra Kosova është një vend i vogël me një ekonomi të vogël dhe nuk ka valutën e saj dhe është një ekonomi me kapacitet të kufizuar sepse nuk ka qasje në tregjet ndërkombëtare financiare dhe siç tha ministri stabiliteti makrofiskal që është me rëndësi për çdo shtet është posaçërisht i rëndësishëm për Kosovën”.
Buxheti për vitin 2018 do të jetë mbi 2 miliardë euro
Ndërsa ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, tha se diskutimet me misioni e FMN-së nuk ishin të lehta.
“Gjatë këtyre ditëve kemi pasur diskutime intensive, jo të lehta,produktive dhe të cilat kanë rezultuar me progres. Kam kënaqësinë që sot të deklaroj para juve që ne kemi pasur një progres jashtëzakonisht të madh në këtë fushë dhe disa çështje teknike, detale ne sigurisht do të vazhdojmë të diskutojmë gjatë qëndrimit tonë në Uashington por them se ne në vija të përgjithshme ne jemi dakorduar për buxhetin e vitit 2018. Ne jemi dakorduar për pjesën e të hyrave, buxheti për 2018 do të bazohet në të hyra të qëndrueshme që janë në përputhje me rritjen ekonomike dhe sigurisht si rezultat i masave të reja ngritjes të performancës së Institucioneve që merren me administrimin e tatimeve doganore dhe tatimeve të tjera kemi parashikuar edhe një zvogëlim të arsyeshëm të hendekut tatimor. I kemi biseduar dhe i kemi dakorduar një për një të gjitha kategoritë e të hyrave”.
Por ministri tha se këto diskutime kanë qenë produktive, ngase janë pajtuar që buxheti për vitin 2018 të jetë mbi 2 miliardë euro i bazuar në të hyra të qëndrueshme në përputhje me rritjen ekonomike.
“Jemi dakorduar që ta respektojmë rregullën fiskale sa i përket deficiti primar dhe deficiti primar gjatë vitit 2018 pritet të jetë 2 për qind, d.m.th pak më i vogël se 2 për qind. Sa i përket bilancit bankarë me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të vendit ne jemi dakorduar që ta mbajmë likuiditetin e bilancit bankar mbi 4.5 për qind të GDP-së. Te totali i shpenzimeve buxheti do të jetë mbi 2 miliard ku vendin kryesor do ta nxënë shpenzimet kapitale, ku ne jemi të interesuar që taksat e taksapaguesve të Kosovës të kthehen atje ku prodhojnë efektin më të madh për qytetar, gjithsesi do ti reflektojmë edhe prioritetet e qeverisë siç është sundimi i rendit dhe ligjit dhe Organizata Buxhetore që kanë pasur prioritet dhe do të kenë prioritet deri në procedimin final të buxhetit në kabinetin qeveritar, do të jenë institucionet që janë në zbatim të rendit dhe ligjit që janë Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Policia e Kosovës dhe organet e tjera. Përveç kësaj ne i kemi trajtuar edhe çështjet sociale gjithmonë duke respektuar infrastrukturën legale në fuqi dhe gjithmonë duke i respektuar mundësitë tona reale buxhetore”.
Ministri i Financave ka falënderuar udhëheqësin e misionit të FMN-së për punën e bërë në Kosovë, duke shtuar se me të kanë diskutuar me qetësi në funksion të stabiliteti fiskal.
“Në fund pasi që kjo është vizita e fundit si shef i misionit për Kosovë e z. Jacque më lejoni që ti shpreh respektin dhe vlerësimin më të lartë për profesionalizmin e tij për kontributin e tij, për angazhimin e tij,për korrektësinë e tij edhe atëherë kur s jemi pajtuar, gjithmonë kemi diskutuar dhe debatuar me një qëllim të përbashkët”.
Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) Fehmi Mehmeti tha se kemi një sektor bankar stabil dhe kreditimi ka rritje dy shifrore që tregon se norma e interesit janë në rënie
Mehmeti shpreson qe norma të ulet edhe më në funksion të zhvillimit ekonomik.
“Sot kemi një sektor bankar shumë stabil, ka rritje në pjesën e aseteve, sikurse dhe depozitave, derisa kreditimi ka një rritje dyshifrore. Kjo njëkohësisht tregon mbështetjen që ka sektori bankar për zhvillimin ekonomik të Kosovës”.
“Kreditë joperformuese kanë shënuar trend rënës edhe sot norma e kredive joperformuese shënon 3,9 %. Nëse e krahasojmë këtë tregues me vendet e rajonit dhe vendet më gjerë jemi shumë më mirë”.
“Sektori financiar vazhdon të jetë me gjendje të mirë të likuiditetit. Norma e interesit ka vazhduar me trend rënës dhe krahasuar me vitet e kaluara norma e interesit ka qenë dyshifrore, sot ajo është shumë ma e ulët dhe presim që norma e interesit të ulët edhe më tutje me qëllim të përkrahjes së zhvillimit ekonomik”.
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është e sigurt që do të vazhdojë të ketë edhe më tutje përkrahjen e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe njëkohësisht të kemi bashkëpunim të suksesshëm me FMN-në”.