FMN vlerëson performancën ekonomike dhe stabilitetin financiar të Kosovës

Prishtinë | 13 Shk 2026 | 15:24 | Nga Ekonomia Online

Pas përfundimit të vizitës zyrtare të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, e zhvilluar nga 3 deri më 13 shkurt, u mbajt konferencë për media ku morën pjesë Ministri i Financave, Hekuran Murati, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, si dhe Shefi i Misionit të FMN-së për Kosovën, David Amaglobeli.

Sipas Muratit, gjatë vitit 2025 ekonomia e Kosovës ka dëshmuar qëndrueshmëri të lartë, duke theksuar se rritja ekonomike ka vazhduar me ritmet pozitive të viteve të fundit.

Ministri tha se të hyrat buxhetore vazhdojnë të performojnë shumë mirë, ndërsa menaxhimi i kujdesshëm i shpenzimeve ka mundësuar rritje të shpenzimeve kapitale.

Guvernatori Ismaili falënderoi Ministrinë e Financave dhe misionin e FMN-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe konstruktiv. Ai theksoi se vlerësimi i FMN-së pasqyron përparimin e arritur në forcimin e stabilitetit financiar dhe institucional.

Ai tha se sektori financiar mbetet i shëndetshëm dhe mirë i kapitalizuar, ndërsa Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në fushat e mbikëqyrjes financiare, sistemeve të pagesave dhe digjitalizimit të shërbimeve financiare.

Shefi i Misionit të FMN-së, Amaglobeli, përgëzoi institucionet e Kosovës për përmbylljen e procesit të formimit të Kuvendit dhe Qeverisë, ndersa bëri të ditur se janë përmbyllur konsultimet në kuadër të Nenit IV, një proces i rregullt që zhvillohet me të gjitha vendet anëtare të FMN-së.

Amaglobeli vlerësoi qëndrueshmërinë makroekonomike të Kosovës, duke theksuar disiplinën fiskale, nivelin e ulët të borxhit publik dhe perspektivën pozitive ekonomike, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Financave.

Të ngjashme