Lëvizja FOL publikoi hulumtimin “Skenimi i korrupsionit 2016”. Për të diskutuar të gjeturat e këtij hulumtimi në panel ishin: Ambasadorja Holandeze në Kosovë Gerrie Willems dhe Drita Hajdari, prokurore speciale në Kosovë.
Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL theksoi që ky ka pasur si qëllim identifikimin e problemeve kryesore në vend sipas qytetarëve të Kosovës, perceptimin në lidhje me nivelin e korrupsionit në vend, me shërbimet publike si shëndetësia, arsimi, si dhe përvojat e tyre me Prokuroritë, Gjykatat dhe Policinë e Kosovës.
Ndërkaq Gersi Gashi, koordinator i projekteve, prezantoi të gjeturat e hulumtimit ku tregoi që është gjendje shqetësuese perceptimi i madh i korrupsionit që mbizotëron sidomos për institucione shëndetësore. Spitalet janë cilësuar institucionet ku qytetarët kanë qenë më së shumti të kushtëzuar nga zyrtarët për ofrim të shërbimeve. Gashi po ashtu ceki që Ministritë, Kryeministria, dhe Partitë politike janë cilësuar si entitetet më të korruptuara nga respondentët e këtij hulumtimi, dhe që burimi kryesor që qytetarët i bazojnë perceptimet janë mediat. Sa i përket mënyrave të luftimit të korrupsionit “ndërrimi i qeverisë” është përzgjedhur nga 43% të qytetarëve, ndërsa po ashtu 17.9% kanë thënë që duhet të punohet në ndërrim të mentalitetit.
Ambasadorja Holandeze në Kosovë, Gerrie Willems, tha se nëse e krahasojmë Skenimin e korrupsionit me vitin e kaluar ka pak progres por ka edhe shqetësime të reja. “Hulumtimet si ky na japin më shumë informata rreth raporteve mes Qeverisë dhe qytetarëve. Andaj, autoritetet duhet të udhëheqin sipas shembullit, nëse liderët janë shembull, qytetarët do ti ndjekin pas”, deklaroi Willems.
Sipas saj, sundimi i ligjit është vet shtëpia e demokracisë. “Korrupsioni për Kosovën ende mbetet një problem i rëndësishëm. Skenimi tregon se korrupsioni është problemi i dytë pas papunësisë në Kosovë, andaj duhet punuar më shumë në këtë drejtim”, tha ambasadorja Willems.
Ndërkaq, Drita Hajdari, prokurore speciale, tha se në Kosovë është krijuar perceptimi se vetëm për rastet kur ngritët aktakuzë për korrupsion merret si punë e suksesshme në luftimin e korrupsionit.
“Marrja e hetimeve dhe provave nuk merren parasysh si sukses. Por edhe sigurimi i mjaftueshëm i provave është punë. Mënyra se si raportohet puna e prokurorisë ndikon tek qytetarët ”, tha Hajdari. Gjithashtu, sipas saj, nuk është vetëm Prokuroria përgjegjëse për luftimin e korrupsionit, janë edhe Gjykatat ku luajnë rol të rëndësishëm, dhe gjyqtari duhet të jetë i pavarur dhe profesionist. “Çdo vendim qoftë lirues ose dënues, ndikon në perceptimin e qytetarëve në drejtësi, andaj duhet të kemi një bashkëpunim reciprok”, deklaroi Hajdari.