Fondacionit për të Drejtat e Kafshëve, përmes një letre dërguar institucioneve të vendit, kërkon që të ndalohet përdorimi i fishekzjarrëve për festat e fundvitit.
Sipas tyre përdorimi i fishekzjarrëve ka efekt negativ në shëndet, mjedis dhe tek kafshët.
Kërkesa i është dërguar: u.d. Presidentes, Vjosa Osmanit, Kryeministrisë (z. Hotit, z. Tahirit), z. Agim Veliut, z. Armend Zemajit, përfaqësuesve të Agjencisisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe z. Sazan Ibrahimit, nga Asociacioni i Komunave.
Letra e plotë:
Festat e fundvitit po afrohen. Ashtu edhe siç ndodh edhe në vende tjera të botës, edhe në vendin tonë, njëra nga mënyrat e festimit, është edhe përmes fishekzjarreve. Përderisa vizualisht fishekzjarret mund të duken bukur për sy, efektet negative të tyre, nuk mund të injorohen lehtë. Në fakt, këto efekte kanë ndikim negativ në shumë faktorë, sa që ndalimi i përdorimit të tyre do të duhej të ishte një vendim i pritshëm. Më poshtë, po i listojmë disa nga efektet negative të përdorimit të fishekzjarreve: ● Ndikimi në ambient: Fishekzjarret shkaktojnë ndotje të gjërë të ajrit në një kohë të shkurtër, duke lënë pas grimca metali, toksina të rrezikshme, kimikate të dëmshme dhe tym në ajër për orë dhe ditë të tëra. Disa nga toksinat kurrë nuk zbërthehen ose shpërbëhen plotësisht, por përkundrazi rrinë rrotull në mjedis, duke helmuar gjithçka me të cilën bien në kontakt. Në një shfaqje fishekzjarrësh, ato grimca që bien në tokë (kimikatet dhe pjesët aktuale fizike të mbeturinave) shpesh përmbajnë kimikate dhe ngjyrues, të cilët gjejnë rrugën e tyre në tokë dhe në sistemin tonë të ujit. Shumë prej lëndëve të para të përdorura për të krijuar fishekzjarre janë minuar nga malet, një proces shkatërrues që pret pyjet dhe shkatërron habitatet e botës së egër. Në viten e fundit, kemi qenë dëshmitarë të një kualiteti shumë të dobët të ajrit në Kosovë, sidomos gjatë periudhës së dimirt, e ky trend fatkeqësisht po vazhdon edhe këtë vit. Duke marrë parasysh ndotjen e ajrit që shkaktojnë fishekzjarret, është më se e logjikshme të ndalohet përdorimi I tyre, për të mos kontribuar edhe më tej në përkeqësim të kualitetit të ajrit. ● Ndikimi në shëndet: Ekspozimi ndaj grimcave të imëta, si ato që gjenden në tym dhe mjegull, është i lidhur me implikime negative në shëndet, të tilla si kollitja, vështirësitë në frymëmarrje, sulmet e astmës dhe madje edhe sulmet në zemër. Njerëzit më të rrezikuar ndaj ekspozimit ndaj këtyre grimcave, janë ata me sëmundje të zemrës ose mushkërive, grate shtatzëna, të moshuarit dhe fëmijët. Zhurmat nga fishekzjarret mund të kalojnë 140 decibel. Zhurma mbi 85 decibel, mund të shkaktojë shqetësime (veçanërisht pasi fishekzjarret mund të tingëllojnë si të shtëna me armë), humbje të përkohshme ose të përhershme të dëgjimit, presion të lartë të gjakut dhe çrregullime të gjumit. Poashtu, përdorimi jo i duhur i fishekzjarreve mund të shkaktojë edhe lëndime të ndryshme fizike. Në këtë kohë pandemie nëpër të cilën po kalojmë, mbingarkimi i stafit mjekësor dhe spitaleve dhe qendrave mjekësore me probleme të shkaktuara nga përdorimi i fishekzjarreve, mund të evitohet, dhe duhet të evitohet. ● Ndikimi në kafshë: Qentë, macet dhe kafshët e tjera nuk e kuptojnë se çfarë janë fishekzjarret – gjithçka që ata dinë është se ka shpërthime të forta, të frikshme dhe instiktet e tyre aktivizohen, duke u thënë atyre se duhet të vrapojnë dhe të fshihen për siguri. Këto shpërthime mund të lënë kafshët të hutuara, të çorientuara, të humbura, në gjendje shoku të rëndë, apo edhe të ngordhura. Dëgjimi i shumë kafshëve është shumë më i ndjeshëm se sa te njerëzit, kështu që shpërthimet e fishekzjarreve jo vetëm që janë më shqetësuese për ta, por ato mund të dëmtojnë dëgjimin e tyre më rëndë. Zhurmat e shkaktuara nga fishekzjarret mund të çojnë në humbje të dëgjimit dhe tringëllimë në veshë. Përveç këtyre dëmtimeve, zhurmat e shkaktuara nga fishekzjarret dëmtojnë kafshët duke shkaktuar frikë dhe ankth. Në fakt, ekspozimi i përsëritur ndaj zhurmave të forta të papritura, të paparashikueshme mund të shkaktojë fobi në shumë kafshë, duke rritur reagimet e panikut ndaj zhurmave të forta në të ardhmen. Prandaj, duke i marrë parasysh implikimet negative të përdorimit të fishekzjarreve, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të ndaluar përdorimin e fishekzjarreve në hapësirat e banimit si dhe hapësirat publike gjatë festave të fundvitit, në interes të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, ambientit dhe kafshëve.