“Fondi 3%”, Supremja refuzon akuzën ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit

Prishtinë | 05 Qer 2024 | 19:22 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Supreme ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Gjykatës së Apelit, duke vendosur që për shkak të arritjes së parashkrimit absolut të ndjekjes penale, ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit të refuzohet akuza për rastin e njohur si “Fondi 3%”.

Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltar i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzoheshin për veprën penale të “Shpërdorimit”. Kurse, për Bujar Bukoshin procedura ishte veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktgjykimin e Supremes të marrë më 30 maj 2024 nga kolegji i përbërë nga kryetarja Mejreme Mema dhe anëtarët Valdete Daka dhe Rasim Rasimi, thuhet se është miratuar kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e mbrojtësit dhe të dënuarit Osmani, si dhe mbrojtësit të të dënuarit Gashi.

Në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë më 23 qershor 2023, kishte shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarve Naser Osmani  dhe Atdhe Gashi, duke i dënuar secilin me nga tri vite burgim. Kurse, Apeli më 19 dhjetor 2023, ua zbuti dënimin dy të akuzuarve, duke i dënuar me nga 18 muaj burgim.

Sipas Supremes, mbrojtësi i Osmanit, avokati Florent Latifaj ndaj dy aktgjykimeve të shkallëve më të ulëta, kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozim që aktgjykimet të ndryshohen dhe të refuzohet akuza për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit ose të lirohet Osmani nga akuza ose që çështja të kthehet në rigjykim. Me të njëjtat pretendime, kërkesë kishte paraqitur edhe vetë Osmani.

Kurse, mbrojtësi i Gashit, avokati Halit Shaljani kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve tjera të dispozitave të procedurës penale, me arsyetimin se kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor, me propozim që aktgjykimet të anulohen dhe çështja të kthehet në rigjykim në shkallë të parë apo të ndryshohen dhe i pandehuri Gashi të lirohet nga akuza.

Në anën tjetër, Prokurori i Shtetit përmes parashtresës kishte kërkuar që të refuzohen si të pabazuara këto kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë.

Andaj, Gjykata Supreme vlerësoi se kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë janë të bazuara. Supremja ka gjetur se ndaj të pandehurve është shkelur Ligji Penal.

Aty thuhet se të pandehurit janë akuzuar për veprën penale në vazhdimësi dhe për të vlerësuar afatin e arritjes së parashkrimit të ndjekjes penale, është dashur të vlerësohet cili ka qenë veprimi i fundit inkriminues i tyre.

“… e që në rastin konkret është tërheqja e fundit e mjeteve e cila sipas vetë ekspertizës financiare, të cilës edhe i është falur besimi nga gjykata është data 20.03.2012. Edhe pse qëndron konstatimi se llogaria ka qenë e hapur deri në fund të vitit 2015 megjithatë nga e njëjta ekspertizë është konstatuar se më datë 23.07.2012 llogaria ka rënë në vlerën zero, pra e njëjta përkundër faktit që ka qenë funksionale nuk ka pasur hyrje-dalje, rrjedhimisht as të pandehurit nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të tërheqjes së mjeteve financiare nga kjo xhirollogari”, thuhet në vendim.

Me këtë, Supremja thekson se edhe veprimi i fundit inkriminues eventual, është dashur që nga dy gjykatat të konsiderohet data 20 mars 2012 kur edhe është bërë tërheqja e fundit nga kjo xhirollogari.

Në aktgjykimin e shkallës së tretë thuhet se meqenëse të pandehurit janë akuzuar për vepër penale të kryer në vazhdimësi, kur bëhet fjalë për këtë lloj të veprave penale, këto konsiderohen si një vepër penale dhe si kohë e kryerjes së saj konsiderohet koha e ndërmarrjes së veprimit të fundit.

“Pra, të dy gjykatat kanë dështuar që të konstatojnë se cili ka qenë veprimi i fundit apo ndërmarrja e veprimit të fundit, edhe pse nga shkresat vërtetohet se grupi i ekspertëve ka dhënë sqarime të sakta lidhur me këtë fakt dhe vetë gjykatat i kanë falë besim kësaj prove të administruar”, thuhet në vendimin e Supremes.

Po ashtu, Supremja ka gjetur se vepra penale “Shpërdorimi” nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal, i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, parasheh dënim nga 1 deri në 5 vjet. Kurse, thuhet se neni 90, par.1, nënpar.1.4 i po të njëjtit Kod, parasheh se ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar 5 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale të dënueshme me më shumë se 3 vjet burgim.

Supremja thekson se sipas nenit 91. par.6 i atij Kodi, ndjekja penale ndalohet kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së arritjes së afatit të parashkrimit (ndalesa absolute mbi ndjekjen penale).

Gjykata ka gjetur se më 20 mars 2022 ka arritur afati i parashkrimit absolut të ndjekjes penale, e kjo duke marrë parasysh se aktgjykimi i Themelores ka marrë formën e prerë më 19 dhjetor 2023 dhe veprimi i fundit inkriminues eventual bazuar në provat e administruara është 20 mars 2012.

Andaj, shkalla e tretë gjen se ndaj Osmanit dhe Gashit është shkelur Ligji Penal kur janë shpallur fajtor, meqenëse ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale dhe ndaj tyre është dashur të refuzohet akuza.

Ndryshe, në nëntor të 2020-ës, Osmani dhe Gashi ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shpërdorimit, për çka ishin dënuar me nga 3 vite burgim. Mirëpo, më 15 shtator 2021, Gjykata e Apelit kishte marrë vendim ku rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Të ngjashme