OKB ka njoftuar se fondi prej 5 milionë euro i themeluar nga sekretari gjeneral, Antonio Guteres, për ndihmë komunitetin rom në Kosovë funksionalizohet brenda javësh dhe do të menaxhohet nga UNMIK-u. Fondi vjen pasi OKB pranoi përgjegjësinë për vuajtjet e disa familjeve rome në kampet me nivel të lartë të kontaminimit me plumb në veri të Kosovës.
Famir Hajrizi nuk ka dëgjuar ende për fondin e Kombeve të Bashkuara për ndihmë familjeve rome, për të cilat UNMIK u gjet përgjegjës për vuajtjet e tyre gjatë strehimit në kampet me sasi të lartë të kontaminimit të plumbit, Zhitkovc, Çesmin Llug e Osterode në Mitrovicë.
Por, ai tregon se tre fëmijët e tij kanë ende sasi të plumbit në gjak dhe se ka nevojë për ndihmë .
Në një përgjigje elektronike, zëdhënësja e misionit në Kosovë, Sanam Dolatshahi, i ka thënë Radio Kosovës se fondi prej 5 milionë eurosh së shpejti të jetë funksional.
Vendimi për këtë fond vjen pasi Paneli Shqyrtues për të Drejtat e Njeriut i OKB-së që kishte hetuar përgjegjësinë e UNMIK-ut në një ankesë të 138 romëve, në dy raporte kishte gjetur se OKB ishte përgjegjës për pasojat në shëndetin e banorëve, romëve në këto kampe gjatë viteve 1999 dhe 2007.
Raporti i këtij paneli thoshte se OKB duhet të kërkojë falje dhe kompensojë individualisht viktimat.
OKB nuk kërkoi falje dhe as nuk do të bëjë kompensim individual.
Dolatshahi nuk ka komentuar për kompensimin dhe as kërkim faljen siç ka rekomanduar Paneli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së.
Fondit i ka dhënë shtytje edhe një letër e ish anëtarëve të Panelit dërguar sekretarit gjeneral, Antonio Guteres.
I pyetur për vendimin një nga ish anëtarët e këtij Paneli, Marek Antoni Nowicki ka thënë se mesazhi i tyre ishte se OKB po minon përpjekjet e saj për të promovuar të drejtat e njeriut, në një kohë kur ato janë nën kërcënim në tërë botën.
Avokati i Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, ekipi i të cilit po ashtu ka shqyrtuar këtë rast, ka thënë se është një praktikë dëshpëruese kundër standardeve të të drejtave të njeriut.
“Paneli i OKB ka ardhur në të njëjtin përfundim sikurse ne se ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut dhe kanë kërkuar kompensim. Por kjo nuk ka ndodhur. Definitivisht kjo është kundër standardeve të të drejtave të njeriut. Derisa qeveritë që zbatojnë këto konventa janë të obliguara të bëjnë kompensim, si është e mundur që një organizatë që është kampione bote për të drejtat e njeriut në situatë kur është vetë shkelëse nuk parasheh mekanizma të tillë mbrojtës”, i ka thënë Jashari, Radio Kosovës.
Refuzimi për të dhënë kompensim individual sipas rekomandimit të Panelit,është mbështetur në udhëzuesin për kompensimet, bazuar në Rezolutën 52/247 (1998) e cila “nuk lejon OKB-në dhe misionet e saj të paguajnë kompensim tjetër përveç dëmtimit material ose fizik”, i ka thënë Jashari, Radio Kosovës.
Mbështetja tjetër është bërë në rregulloren e UNMIK-ut 2000/47, e cila në atë kohë e kishte veshur misionin e OKB-së dhe atë të NATO-s me një imunitet të plotë ndaj procedurave civile e penale.