Fondi rezervë mund të mbushet për një orë, të mos përzihet me bilancin e përgjithshëm

Prishtinë | 29 Dhj 2019 | 08:02 | Nga Halide Rexhepi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Më shumë se 6 milionë euro nga Fondi rezervë i buxhetit për këtë vit janë harxhuar nga Qeveria në largim. Fondi sipas ligjit mund të shpenzohet vetëm në raste urgjente e të paparashikuara.

Edhe pse në këtë fond nuk ka  më mjetet buxhetore, këshilltari i ministrit të Financave, Lulzim Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ai mund të mbushet për një orë.

Ai thotë se ky fond nuk duhet që të përzihet me bilancin e përgjithshëm bankar, ngase siç thotë ai shteti financiarisht qëndron më së miri që ka qenë ndonjëherë.

“Fondi rezervë është një fond i Qeverisë është një vijë buxhetore te Qeveria e Republikës së Kosovës dhe sikur sot ka rënë në zero pas një orë mund të mbushet 1 milion, 2 milionë, 10 milionë, mos ta përziejmë fondin rezervë me bilancin e përgjithshëm bankar, shteti financiarisht qëndron më së miri që ka qenë ndonjëherë”.

“Fondi rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës i cili mbahet për shpenzime të paparashikueshme që nuk kanë mund të planifikohen në buxhetin e shtetit ose për diçka që  nevojitet në mënyrë urgjente me u ndërmarrë një vendim dhe e ke në fond rezervë por ai fond është fleksibil, i cili mund të mbushet në periudha të rregullta pas çdo mbledhje të Qeverisë mund të mbushet”.

Ish-drejtori i Doganës, thotë se bilanci momental bankarë është rreth 600 milionë dhe është i mjaftueshëm për t’i përmbushur të gjitha shpenzimet që i ka shteti.

“Bilanci i përgjithshëm bankarë nuk guxon me ra në masën ekstreme po shprehem zero se atëherë falimenton shteti, bilanci bankarë i shtetit është rreth 600 milionë është bilanci më i lartë që a qenë në shtetin e Republikës së Kosovës është më se i mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet që i ka shteti edhe në atë rastin më ekstrem edhe nëse asnjë e hyrë nuk mblidhet asnjë tatim nuk inkasohet, shteti ka bilanc më se të mjaftueshëm bankarë për të i kryer të gjitha obligimet”.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se vendi është shëndërruar në një shtet që gjithëkush mund të bëjë cka të dojë pa marrë përgjegjësi.

“Një dukuri  e tillë që ka ndodhë këtë vit dhe kjo sjellje e kryeministrit  karshi buxhetit dhe fondit rezervë duhet t’i takojë të kaluarës me dëshirë që të mos përsëritet sepse është një pikë e zezë që dëshmon se në Kosovë nuk ka sundim të rendit dhe ligjit nuk ka përgjegjësi qoftë institucionale qoftë individuale dhe është shndërruar Kosova në një shtet që gjithkush mund të bëjë çka mund të bëje është një amoralitet që nuk do të përsëritet në të ardhmen sepse nuk i bënë nder Kosovës dhe qytetarëve të saj”.

“Është e vërtetë që Dogana dhe Administrata Tatimore gjeneron të hyra mirë po është shumë ma e udhës të kemi alokim, alokim nga i cili do të ketë gjenerim pozitiv për ardhmërinë e qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm  të përmbushen epshet e grupeve të caktuara të interesit”.

Sipas tij, mosdiciplina financiare ka bërë që të zbehen raportet edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), gjë që sipas tij, do të  ndikojë në mbështetjen e projekteve në interes të qytetarëve, raporton EO.

“Është koha kur duhet të ketë shumë më tepër disiplinë financiare dhe vet fakti që një sjellje e tillë e pa kontrolluar e parasë publike Kosova e ka prishë partneritetin me Fondin Ndërkombëtarë është dëshmia më e mirë sa është dëmtuar Kosova në këto dy muajve e fundit dhe sa do të ketë nevojë Qeveria në ardhje të investoj në përmirësimin e këtij partneriteti me FMN-në dhe e tëra kjo do të kushtoj edhe kohë edhe mund, por edhe do të ketë mungesë të mundësive për të suportuar projekte të cilat do të jenë në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Fillimisht, 4.8 milionë euro ishte vlera e ndarë nga buxheti i Kosovë për rezerva shtetërore, por Ministria e Financave, në fund të muajit nëntor, vendosi që t’i bartë edhe 500 mijë euro në Fondin Rezervë.

Ndërkaq 800 mijë euro tjera, mjete të buxhetit, në këtë fond janë bartur në mbledhjen e fundit të Qeverisë.

Të ngjashme