Profesionistë apolitikë nga Kosova dhe diaspora u kanë bërë thirrje institucioneve më të larta të vendit për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.
Në thirrjen drejtuar presidentit të vendit, kryeministrit, ministrit të FSK-së dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ata kanë shprehur shqetësimet lidhur me zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë, duke marrë parasysh ekspozimin e territorit të Republikës së Kosovës ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Serbia.
“Pavarësisht mundësive të kufizuara financiare të Kosovës dhe nevojave të shumta në sferën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, etj. siguria kombëtare nuk ka çmim. Ajo është parakusht për zhvillim. Përvojat tona të vazhdueshme si popull kanë dëshmuar se në mungesë të strukturave efektive mbrojtëse, popullata civile e vendit dhe interesi i Kosovës janë dëmtuar në vazhdimësi”, thuhet ndër të tjerash në thirrjen e nënshkruar në mënyrë elektronike nga 25 profesionistë apolitikë nga Kosova dhe diaspora.
Kjo është komunikata e plotë e këtij grupi:
Presidentit të Republikës së Kosovës
Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Ministrit të FSK-së
Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Ne të poshtëshënuarit
Të shqetësuar për zhvillimet rreth situatës së sigurisë në Kosovë dhe duke marrë parasysh ekspozimin e territorit të Republikës së Kosovës ndaj kërcënimeve të drejtpërdrejta nga Serbia
Të vetëdijshëm për: pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe rrezikun e ndarjes së vendit rrezikun e përfshirjes së të gjithë rajonit në një konflikt të ri me shkallë të gjerë zhvillimet politike e gjeostrategjike në rajon dhe në botë mungesën e mekanizmave efikas mbrojtës të Republikës së Kosovës prezencën e NATO-s në Kosovë dhe nevojën e anëtarësimit sa më të shpejtë të Kosovës në të
Duke u thirrur në: parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, ligjet dhe zakonet ndërkombëtare për paqe e siguri Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe të drejtën e qytetarëve të Kosovës për vetëmbrojtje në rast të agresionit të jashtëm bëjmë
THIRRJE
Për krijimin e menjëhershëm të Ushtrisë së Kosovës me qëllim që kjo ushtri t’i shërbejë interesit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim, paqes, sigurisë dhe mbrojtjes së integritetit territorial e sovranitetit të vendit.
Me Ushtrinë e Kosovës duhet të krijohet infrastruktura e kompletuar mbrojtëse përfshirë komponentët për mbrojtje tokësore, ajrore dhe kibernetike.
Kjo infrastrukturë mbrojtëse duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Pavarësisht mundësive të kufizuara financiare të Kosovës dhe nevojave të shumta në sferën e arsimit, shëndetësisë, infrastrukturës, etj. siguria kombëtare nuk ka çmim. Ajo është parakusht për zhvillim. Përvojat tona të vazhdueshme si popull kanë dëshmuar se në mungesë të strukturave efektive mbrojtëse, popullata civile e vendit dhe interesi i Kosovës janë dëmtuar në vazhdimësi. Ne nuk guxojmë të lejojmë të na përsëritet historia.
Kjo thirrje është nënshkruar në mënyrë elektronike nga (sipas alfabetit):
Abit Hoxha – Studiues i mediave dhe sigurisë – Gjermani
Agim Musliu – Njohës i sigurisë – Kosovë
Agim Morina – Gjuhëtar – Britani e Madhe
Agon Maliqi – Politolog – Kosovë
Anton Ahmetaj – Ekonomist – Norvegji
Arben Hajrullahu – Politolog – Kosovë
Arber Ahmeti – Studiues i sigurisë – Austri
Armend Bekaj – Politolog – Suedi
Avni Zogiani – Hulumtues – Kosovë
Bekim Baliqi – Politolog – Kosovë
Besnik Pula – Sociolog – ShBA
Dardan Velija – Konsulent i politikave publike – Kosovë
Donik Sallova – Politolog – Kosovë
Gani Ahmetaj – Afarist – ShBA
Ganimete Asllani – Juriste – Britani e Madhe
Getoar Mjeku – Avokat – ShBA/Kosovë
Jeta Rudi – Ekonomiste – ShBA
Kujtim Dobruna – Ekonomist – Austri/Zvicër
Lumir Abdixhiku – Ekonomist – Kosovë
Pal Shtufi – Afarist – Zvicër
Petrit Zogaj – Politolog – Kosovë
Pëllumb Kelmendi – Politolog – SHBA
Shkëlzen Gashi – Studiues – Kosovë
Uk Lushi – Ekonomist – ShBA
Valmir Ismaili – Politolog – Kosovë.