Foshnja 37 ditëshe, viktima më e re e Covid-19 në Greqi

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 14:23 | Nga Ekonomia Online

Greqia ka mbajtur zi për një foshnje vetëm 37 ditëshe, më e reja mes afro 6 mijë e 800 viktimave të koronavirusit në këtë shtet.

“Fatkeqësisht ne sot kemi viktimën më të re të pandemisë në vendin tonë, një foshnje që kaloi 17 nga gjithsej 37 ditët e saj, duke luftuar me koronavirusin”, tha kryeministri Kyriakos Mitsotakis në një postim në Twitter.

“Dhimbja e kësaj dite është e papërballueshme”, shtoi ai.

Ministria e shëndetësisë tha se foshnja, djalë, ishte dërguar në spitalin e fëmijëve në Athinë në mes të shkurtit me një inflamacion nazal dhe ethe dhe ishte vënë në kujdes intensiv një ditë më pas.

Ai u nda nga jeta të dielën.

Rreth 6 mijë e 800 persona kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit në Greqi ndërsa rreth 480 të tjerë janë aktualisht në kujdes intensiv.

Ministria e shëndetësisë kërkoi javën e shkuar ndihmë nga spitalet private pasi pranoi se sistemi i shëndetit publik në Athinë ishte nën një presion të papërballueshëm.


Të ngjashme