Fragmente eksponatesh parahistorike janë nxjerrë me ekskavator në fshatin Runik të Skenderajt, në vendin që mbrohet si lokalitet arkeologjik, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një gjë e tillë ka ndodhur derisa po punohet në hapjen e kanalizimit në lagjen “Dardania”, që shtrihet në lokalitetin neolitik (parahistorik), një projekt i Komunës së Skenderajt.
Autoritetet komunale kanë dërguar makineri të rëndë në këtë zonë, pa marrë leje nga institucionet relevante të trashëgimisë kulturore. Nuk i kanë ndërprerë punimet e as nuk i kanë njoftuar organet kompetente për gjetjet, që janë dëmtuar.
Në mesin e tyre janë fragmente të qeramikës – enë dhe vegla pune – që besohet t’i takojnë neolitit të hershëm e të vonë.