Franca dënon një bankë zvicerane me 3.7 miliardë euro për shkak të mashtrimit me taksa

Prishtinë | 20 Shk 2019 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Banka zvicerane “UBS” është ndëshkuar me 3.7 miliardë euro për shkak të mashtrimit me taksa, i cili ka prekur autoritetet franceze.

Një gjykatë në Paris ka zbuluar se kjo bankë i ka ndihmuar në mënyrë ilegale klientët francezë për të fshehur miliarda euro nga autoritetet franceze të tatimeve nga viti 2004 deri në vitin 2012. Sidoqoftë, përfaqësuesit e kësaj banke i kanë mohuar akuzat për vepra kriminale dhe kanë thënë se do të bëjnë ankesë kundër këtij dënimi.

Kjo bankë ishte dënuar edhe më herët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2009 dhe në Gjermani më 2014. Përpos dënimit prej 3.7 miliardë eurove, banka “UBS” është e detyruar t’ia paguajë edhe 800 milionë euro shtetit francez për shkak të dëmtimit të të ardhurave nga taksat.

Muajin e kaluar, banka kishte njoftuar se gjatë vitit 2018 ka fituar 4.3 miliardë euro nga veprimtaria e saj. Prokurorët francezë e kanë akuzuar këtë bankë për përkrahje të shmangies së tatimeve nga klientët e saj dhe se ky proces është zhvilluar në nivel industrial.

Vendimi i gjykatës u mor pas hetimeve që zgjatën shtatë vjet, ndërsa banka e kishte refuzuar më parë ofertën për t’ia paguar 1.1 miliard euro autoriteteve franceze, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme