Franca dhe aleatët po përgatisin një mision për të rihapur ngushticën e Hormuzit, thotë Macron

Prishtinë | 10 Mar 2026 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Presidenti francez Emmanuel Macron ka shfrytëzuar një vizitë në Qipro për të njoftuar se Franca dhe aleatët e saj po përgatiten “një mision thjesht mbrojtës, thjesht mbështetës” për të rihapur ngushticën e Hormuzit, ku dhjetëra anije kanë mbetur të bllokuara që nga fillimi i luftës.

Në një udhëtim njëditor në ishullin lindor të Mesdheut – shteti anëtar më i afërt i BE-së me Lindjen e Mesme – ai tha se misioni do të fillojë “sa më shpejt të jetë e mundur pasi të ketë mbaruar faza më intensive e konfliktit”.

Ministri i transportit detar i Greqisë e ka përshkruar situatën në ngushticë si “alarmuese”, duke thënë se shumë tankerë janë gjetur të bllokuar në rrugën kryesore ujore që kur filluan sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë kalojnë nëpër ngushticë çdo ditë, shkruan The Guardian.

“Është thelbësore për tregtinë ndërkombëtare, por edhe për rrjedhën e gazit dhe naftës, të cilat duhet të jenë në gjendje të largohen përsëri nga ky rajon”, u tha Macron gazetarëve.

Udhëheqësi francez u zotua gjithashtu se Bashkimi Europian do të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbështetur Qipron, ku disa vende të BE-së kanë nxituar të vendosin anije luftarake dhe avionë luftarakë pas një sulmi me dronë kundër një baze britanike në ishull.

Të ngjashme