Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i bëri thirrje Iranit të “zvogëlojë menjëherë” rezervat me uranium të pasuruar, një ditë pasi Teherani njoftoi se kishte shkelur kufizimet, në kuadrin e një marrëveshjeje bërthamore të vitit 2015, për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve të reja amerikane.
Përmes një deklarate, Macron i bëri thirrje Iranit “që menjëherë të anulojë këtë tejkalim dhe të abstenojë nga çdo masë tjetër që do të dëmtonte detyrimet bërthamore”.
Të hënën, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se Irani tani kishte tejkaluar kufirin në rezervat e uraniumit të pasuruar.
Këtë, e konfirmoi edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB).
Agjencia tha se inspektorët e saj kanë verifikuar se kufiri prej 300 kilogramësh është tejkaluar.
Duke komentuar veprimet e fundit iraniane, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se Irani “po luan me zjarrin”.
Shtëpia e Bardhë, më herët ka reaguar, duke thënë se “SHBA-ja dhe aleatët e saj kurrë nuk do të lejojnë Iranin të zhvillojë armë bërthamore”.
Marrëveshja bërthamore kufizon pasurimin e uraniumit dhe rezervat e Iranit me këtë substancë, ndërsa redukton edhe kapacitetet bërthamore të këtij vendi, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare kundër tij.
Por, Shtetet e Bashkuara e kanë braktisur në mënyrë të njëanshme marrëveshjen, në maj të vitit 2018, dhe i kanë rikthyer sanksionet kundër Iranit.
SHBA-ja e akuzon Iranin si sponsorizuesin kryesor të terrorizmit në rajon.