Mbi 40 milionë zgjedhës francezë kanë mundësi të zgjedhin më 7 Maj mes liberalit Macron dhe ekstremistes së djathtë Le Pen. Partia e saj “Front National” lufton me të gjitha mjetet për çdo votë për të fituar balotazhin.
Qysh në raundin e parë Laurence David-Moalic ishte plot shpresë, që kandidati i preferuar i saj Emmanuel Macron do të fitojë. Laurence David-Moalic punon në zyrën e tatimeve në qytetin verior të Francës, Amiens, vendlindja e Macron. Edhe pse për të asnjëherë politika nuk ka pasur rëndësi, ajo ka disa muaj që e investon të gjithë kohën e lirë të saj për lëvizjen e Macron “En Marche”.
“Emmanuel Macron ka një mënyrë të hapur dhe pozitive të menduari, ai do të veprojë dhe t’i sjellë të gjithë bashkë”, thotë ajo. Laurence nuk do të shohë se si i gjithë vendi mund të zhvendoset në spektrin e djathtë ekstrem.
Dështimi i industrisë, papunësi e lartë – këto janë arsye, përse shumë vetë në rajonin Amiens votojnë për Frontin National. Por Laurence është i bindur që Macron do të triumfojë në balotazh kundrejt populistes së djathtë Marine Le Pen.
“Ne kemi një detyrë të vështirë përpara. Sepse Emmanuel Macron si president duhet të ketë edhe sukses. Në rast të kundërt pas pesë vjetësh vërtetë që Front National mund të marrë timonin.”
Por ata që duan ta pengojnë pikërisht këtë janë mbështetësit e Front National. Tani ata synojnë të mbledhin sa më shumë vota të jetë e mundur. Nicolas Versaen në raundin e parë jo vetëm ka zgjedhur Marine Le Pen, por ai edhe ka vëzhguar numërimin e votave në qendrën e tij elektorale, për shkak të mosbesimit ndaj të gjithë atyre që nuk bëjnë pjesë në Front National.
“Ne kontrollojmë të gjithë nga pak dhe shohim, nëse ka mashtrim elektoral. Një gjë e tillë ka ndodhur. Ne kemi nuk kemi nga radhët tona shumë kryetarë bashkie apo këshilltarë bashkiakë, ndaj kundërshtarët tanë janë shumë më të pranishëm në numërimin e votave. Ata janë kudo në krye”, thotë ai.
Nicolas e edhe prindërit e tij ishin të bindur që Marine Le Pen do të kryesojë pas raundit të parë. Por tani ata janë paksa të zhgënjyer, ndonëse shefja e ekstremit të djathtë do të dalë në balotazh.
Megjithatë në rajonin Amiens ka shumë që nuk duan të zgjedhin liberalin Macron. Ish-bankieri konsiderohet nga shumë francezë si kandidat i botës së financave dhe industrisë së rëndë. Laurence David Moalic dhe mbështetësit e tjerë të lëvizjes „En Marche” duan ta ndryshojnë këtë imazh.
“Ne shkojmë shtëpi më shtëpi, kërkojmë dialogun. Ne duam të jemi të hapur. Por nëse ndokush nuk do të na dëgjojë, është e vështirë ta bindësh. Kush nuk dëgjon, nuk mund të kuptojë. Unë në nivel lokal gjithmonë them: hajdeni dhe na dëgjoni një herë, çfarë ofrojmë ne!”
Synimi për të marrë votat e Melenchon
Ekstremistët e djathtë në të kundërt ndjekin një tjetër strategji. Ata përpiqen të mbledhin vota sa më shumë të jetë e mundur edhe në kampin e së majtës ekstreme, si këtu në zonën elektorale të ekstremistit të majtë Jean-Luc Melenchon, i cili nuk doli në balotazh.
Qëllimi i tyre është, që të krijojnë një aleancë ekstreme kundër forcave të moderuara.
“Ne shohim në çdo qendër votimi se si janë shpërndarë votat. Këtu në lagjen Saint-Leu banojnë shumë njerëz, që nuk fitojnë mirë. Këtu kryeson Jean-Luc Melenchon. Prej këtij grupi do të vijnë shumë tek ne, sepse këta zgjedhës nuk e duan si president kandidatin e bankave të mëdha”, tha Nicolas Versaen, anëtar i Front National.
“Laurence i konsideron të tilla argumenta thjeshtë si propagandë. Ajo do ta mbështesë edhe më fort Macron dhe për zgjedhjet parlamentare në qershor do të kandidojë për lëvizjen e tij ‘En Marche'”. Ajo mendon se ardhmja e Francës është në rrezik. Më e rëndësishmja është që Grande Nation të mbetet kozmopolit dhe pro-europian.