Franca pret 1 000 lisa të vjetër për kulmin e katedrales

Prishtinë | 09 Mar 2021 | 13:09 | Nga Ekonomia Online

Në një pyll që dikur ishte pyll mbretëror, tre persona të hënën e filluan prerjen e lisave të vjetër me shekuj, të cilët do të përdoren për rindërtimin e kulmit të Katedrales “Notre Dame”, e cila në vitin 2019 u shkatërrua nga zjarri.

Ndërtesa që për më shumë se 150 vjet ka qenë simbol në Paris, u dogj në prill të vitit 2019, duke bërë që çatia e bërë pjesërisht nga druri të shembej e të shkatërrohej.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, verën e kaluar njoftoi se objekti i lartë 96 metra do të rindërtohet sipas planit origjinal të shekullit XIX, duke e nisur kërkimin e 1.000 lisave që nevojiten për ndërtimin e strukturës së drunjtë.

“Është i jashtëzakonshëm. Është i drejtë në mënyrë të përsosur dhe pa ndonjë defekt të brendshëm”, tha Aymeric Albert, drejtor komercial i Komisionit të Pylltarisë për njërin prej lisave të prerë për këtë qëllim.

Lisat që do të merren për rindërtimin e katedrales u përzgjodhën në fillim të vitit dhe duhet të copëtohen para fundit të marsit në mënyrë që të mos marrin shumë lagështirë, shkruan France24, transmeton Gazeta Express.

Lisat, të cilët kushtojnë rreth 15.000 euro secili, do të lihen për t’u tharë nga 12 deri në 18 muaj para se t’u jepet forma e nevojshme për çatinë e katedrales.

Vendimi për prerjen e 1.00 lisave është marrë pavarësisht zotimeve të presidentit Macron për ta adresuar çështjen e klimës, qoftë në nivel kombëtar, qoftë në samitet ndërkombëtare. Në videon e mëposhtme, gjatë një takimi të Grupit G7, ai shpjegon se si një orë dore është bërë nga materialet e riciklueshme dhe se “kjo është ajo që ne dëshirojmë të bëjmë.”

Të ngjashme