Francë, rritja ekonomike 1.6%, 9.5% papunësia

Prishtine | 20 Qer 2016 | 11:48 | Nga

Ekonomia franceze do të rritet përtej asaj që vlerësohej më parë gjatë këtij viti, raporton zyra e statistikave në vend. Kostot e lira të huamarrjes dhe energjisë kanë nxitur shpenzimet, çka po jep efekt edhe në tregun e punës.
Ekonomia franceze pritet të rritet me 1.6 për qind përgjatë këtij viti, bindshëm mbi pritshmëritë e Bankës Qendrore, duke i dhënë të drejtë qeverisë në përballjen disa mujore me institucionin qendror të politikave monetare.

Banka Qendrore parashikon një normë rritje pranë 1.4 për qind, ndërkohë që qeveria flet për një normë mbi 1.5 për qind. Ky nivel shihet si minimumi i nevojshëm për uljen e papunësisë. Gjatë tremujorit të dytë të vitit rritja ekonomike vlerësohet pranë 0.3 për qind, nga 0.6 për qind që ishte në tremujorin e parë të vitit.

Zyra e statistikave rishikon kështu në rritje me 0.1 pikë përqindje projeksionet për rritjen ekonomike përgjatë vitit. Sa i përket normës së papunësisë, projeksionet flasin për një normë pranë 9.5 për qind në fund të vitit, nga 9.9 për qind që është aktualisht.

Ky do të ishte niveli më i ulët që prej vitit 2012 kur Francois Hollande morri detyrën. Në rast se projeksionet do të përkthehen në shifra reale në fund të vitit, atëherë Francois Hollande duket se e ka rrugën të hapur për një mandat të dytë në krye të shtetit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme