Selektori i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda e mbajti sot një konferencë për shtyp përmes së cilës i shprehi synimet e qarta që i kanë Dardanët para ndeshjes më të rëndësishme në histori të tyre.
Trajneri gjerman tha se Kosova dhe Turqia i kanë gjasat e barabarta për fitore nesër mbrëma në finale të “play-off”-it të Botërorit, ndërsa shtoi se synim i tij i vetëm është që ta çojë Kosovën në Botërorin 2026.
Gjithashtu, ai foli edhe për Edon Zhegrovën, i cili nuk u aktivizuar në lojën me Sllovakinë, por dha shpresa për “Luanin e Kosovës” para lojës me Turqinë.
“Turqia ka shumë lojtarë kualitativ, por edhe ne kemi të tillë. Gjasat janë 50-50, ne do të bëjmë të pamundurën për fitore.”
“Kam besim te të gjithë lojtarët, edhe te Zhegrova. Secila lojë ka situatat e veta. Nesër ka gjasa që Edoni të luajë nga fillimi.”
“Ne i njohim forcat dhe dobësitë e Turqisë. Ekipi i Turqisë është shumë e fort. Loja e tyre bazohet në pasime të shkurta, ne do të tentojmë me kundërsulme sa herë që e kemi topin.”
“Nuk jam parashikues i së ardhmes, nuk e di se sa do të zgjat ndeshja, por ne jemi të përgatitur për çdo gjë.”
“Kur kam ardhur te Kosova, fillimisht qëllimi ka qenë kualifikimi në EURO, mirëpo situata na solli që jemi për Botëror në rrugë të mirë. Do të ishte arritje e madhe për karrierën time nëse shkojmë në Botëror.”
Kosova dhe Turqia do të përballen mes vete nesër mbrëma në finalen e “play-off”-it të Botërorit 2026 në stadiumin “Fadil Vokrri” duke filluar nga ora 20:45.
