Frangu zviceran bie në nivelin më të ulët ndaj euros në 12 muaj

Prishtinë | 03 Sht 2026 | 16:25 | Nga Ekonomia Online

Frangu zviceran ka vijuar të dobësohet ndaj euros, duke zbritur të mërkurën deri në 0.9434 franga për një euro. Ky është niveli më i ulët i regjistruar që nga 17 gushti i vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Dobësimi i monedhës zvicerane lidhet kryesisht me të dhënat e fundit për inflacionin në eurozonë. Sipas të dhënave të publikuara të hënën, çmimet e konsumit në eurozonë u rritën me 3.3 për qind në bazë vjetore, duke shënuar nivelin më të lartë të inflacionit që nga shtatori i vitit 2023.

Rritja e inflacionit, e nxitur në veçanti nga çmimet e larta të energjisë, ka forcuar pritjet në tregjet financiare se Banka Qendrore Evropiane (BQE) mund të vazhdojë me shtrëngimin e politikës monetare dhe të rrisë normat bazë të interesit në mbledhjen e ardhshme.

BQE-ja kishte rritur tashmë në qershor normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje.

Në anën tjetër, Banka Kombëtare e Zvicrës (SNB) pritet të mbajë një qëndrim më të kujdesshëm, për shkak të inflacionit ende të ulët në Zvicër. Tregjet nuk presin një shtrëngim të politikës monetare zvicerane në një periudhë të afërt.

Një rritje e mëtejshme e normave të interesit nga BQE-ja do të zgjeronte diferencën e normave të interesit mes eurozonës dhe Zvicrës. Kjo do ta bënte euron më tërheqëse për investitorët dhe, rrjedhimisht, mund të ushtronte presion të mëtejshëm mbi frangun zviceran.

Për ekonominë zvicerane dhe veçanërisht për konsumatorët që udhëtojnë ose kryejnë shpenzime në eurozonë, një frang më i dobët nënkupton se blerjet në euro bëhen më të shtrenjta./Albinfo.ch

Të ngjashme