Pushteti gjyqësor vazhdon të mbetet ndër problematikat kryesore të shtetit të Kosovës, në theks të veçant, korrupsioni i cili nuk është eleminuar ende.
Raporti i fundit i Freedom House për Kosovën në të gjeturat e tij tregon se sistemi gjyqësor ka mungesë të gjyqtarëve të kualifikuar, gjë e cila pengon performancën e duhur të gjyqësorit.
Kapitulli i Rendit dhe Ligjit në Raportin e Freedom House merr një pikë nga 4 gjithsej dhe është notuar shumë dobët, shkruan Gazeta Sinjali.
Raporti flet edhe për idenë e qeverisë Kurti për të krijuar mekanizmin e Vettingut në drejtësi.
“Në vitin 2021, qeveria Kurti krijoi një grup pune për të krijuar një mekanizëm të vettingut në gjyqësor, diskutimet mbetën të vazhdueshme në fund të vitit”, shkruhet në raport.
Për prokurorët dhe gjykatat raporti thotë se mbesin të ndikuara nga ndërhyrjet politike dhe nga korrupsioni.
“Prokurorët dhe gjykatat mbeten të ndjeshme ndaj ndërhyrjeve politike dhe korrupsionit nga elitat e fuqishme politike dhe të biznesit, duke dëmtuar procesin e duhur”, thuhet tutje.
Raporti flet për strukturat ilegale të cilat operojnë në veri të Kosovës edhe pse kishte marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja për t’i shpërbërë këto struktura.
“Edhe pse BE-ja ndërmjetësoi një marrëveshje në vitin 2015 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të shpërbërë forcën serbe të sigurisë Civilna Zastita (Mbrojtja Civile) në veri të Kosovës, ka pasur raporte se forca është ende duke vepruar ilegalisht. Kushtet e burgjeve janë përmirësuar vitet e fundit, por dhuna dhe kujdesi i dobët mjekësor mbeten problem. Policia ndonjëherë keqtrajton të arrestuarit në paraburgim”, thuhet në raport.
Ndërkaq sa i përket Dhomave të Specializuara, në raport thuhet se Gjykata Speciale s’është e pëlqyer nga shqiptarët e Kosovës.
“Në nëntor 2020, një numër ish-anëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK)—përfshirë ish-presidentin Thaçi—u akuzuan për krime lufte nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DSK), një gjykatë në Hagë që hetonte krimet e luftës të kryera gjatë luftës së Kosovës 1998–99. për pavarësinë. Gjykimet e para të luftëtarëve të UÇK-së filluan në dhjetor të vitit 2021; të akuzuarit mbetën në paraburgim në fund të vitit. KSK-ja është e papëlqyeshme në mesin e shqiptarëve të Kosovës dhe qeveria më parë u përpoq të ndalonte punën e saj përmes përpjekjeve për të shfuqizuar ose rinegociuar ligjin e vitit 2015 që përcakton ekzistencën e saj”, thuhet ndër të tjera në raportin e Freedom House.