Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Nisma Socialdemokrate në koalicion me AKR-në e PD-në, zgjodhën që të drejtohen në PZAP me shpresën që ky institucion do t’i merr për bazë ankesat e tyre, e që do të mund të ndikojnë diçka që këta të kalojnë pragun zgjedhor.
Ky koalicion, përveç për votat e ardhura nga Serbia e për rinumërim, ishin ankuar edhe kundër vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve të parakohshme, nga ku kanë propozuar që të ju aprovohet si e bazuar ankesa që ky institucion t’i shpallë të parregullta 6.544 votat që kishin ardhur nga diaspora, e të cilat veç ishin numëruar. Për to ishte kërkuar edhe që të largohen nga rezultati përfundimtar.
Këto vota që kishin shkuar në total gati për Lëvizjen Vetëvendosje, e patën thelluar nën prag gjendjen e koalicionit NISMA-AKR-PD.
Edhe pas shpalljes së rezultateve, koalicioni kishte insistuar se votat jashtë Kosovës kishin ardhur në vend jashtë afatit kohor, e në këtë mënyrë të ato nuk do të duhet të pranoheshin.
“Koalicioni NISMA-AKR-PD konsideron se me këto vota të ardhura jashtë afatit ligjor, jemi dëmtuar direkt në rezultatin tonë zgjedhor, ngase sikur të zbatohet drejtë ligji material dhe procedural i cili në mënyrë të veçantë dhe shprehimore ka përcaktuar afatet ligjore të pranimit të votuesve jashtë Kosovës, ne kemi arritur kuotën e votave mbi 5%”, thuhet në ankesën e këtij koalicioni.
Mirëpo, në vendimin e PZAP-së kjo ankesë ishte kthyer si e pabazuar, me arsyetimin se për këtë çështje kishte vendosur paraprakisht Gjykata Supreme e Kosovës.
Megjithatë, nga koalicioni me kandidat për kryeministër Fatmir Limajn kanë thënë se pavarësisht kësaj do të ankohen pastaj në Gjykatë Supreme, e edhe në Gjykatën Kushtetuese.
NISMA-AKR-PD ishin ankuar në PZAP edhe për votat e Serbisë, si dhe që disa vendvotime të shkonin në rinumërim, shkruan Express.
Ky institucion kishte vendosur në favor të tyre, mirëpo, situata mund të ndryshojë nëse Supremja brenda afatit 72 orësh vendos ndryshe.