Frontex: Rreth 200 mijë emigrantë mbërritën në BE vitin e kaluar

Prishtinë | 11 Jan 2022 | 15:34 | Nga Ekonomia Online

Rreth 200,000 emigrantë kanë mbërritur në Bashkimin Europian vitin e kaluar, numri më i lartë që nga viti 2017, sipas një njoftimi të Frontex.

Shifrat ishin 57% më të larta se në vitin 2020, vit në të cilin kufizimet pandemike reduktuan në mënyrë drastike mbërritjen e emigrantëve, por gjithashtu ishin 36% më të larta se në vitin 2019, sipas Frontex.

“Kjo tregon se përveç heqjes së kufizimeve në lëvizjen globale janë përgjegjës edhe faktorë të tjerë për rritjen e presionit të imigracionit,” thuhet në deklaratë.

Frontex theksoi se ka një rritje të numrit të emigrantëve që mbërrijnë përmes Mesdheut qendror, Ballkanit Perëndimor dhe Qipros. Rruga kryesore ishte Mesdheu qendror, përmes të cilit kaluan 65.362 emigrantë, pra pothuajse një e treta e të gjithë emigrantëve, raporton abcnews.al

Numri i emigrantëve që vinin nga Ballkani Perëndimor u rrit me 124% në krahasim me vitin 2020, me 60,540. Në Qipro janë regjistruar 10,400 emigrantë, një rritje prej 123% në krahasim me vitin e kaluar.

Emigrantët me numrin më të lartë të mbërritjeve në BE ishin sirianët, të ndjekur nga tunizianët, marokenët, algjerianët dhe afganët.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme