Kompania “Frutex”, është pajisur me Certifikatë si Operator i Autorizuar Ekonomik pran Doganës së Kosovës, pasi ka përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme, raporton Ekonomia Online.
Pranim-dorëzimi është bërë nga drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës Ibrahim Xhaka te drejtori i kompanisë “Frutex” Shaqir Palushi.
Palushi tha se kjo marrëveshje shkurton kohë sa i përket procesit të zhdoganimit.
“E falënderoj ekipin që ka punuar me muaj për ta fituar këtë projekt, i cili është i rëndësishëm për ne dhe praktikisht sot kompania jonë përveç prodhimit do ta ketë edhe një terminal doganor i cili do të jetë në hapësirat tona dhe natyrisht do të jetë për qëllim të brendshëm dhe ekskluzivisht për kompaninë tonë”.
“Sigurisht se kjo do të sjellë shumë të mira, në radhë të parë do të efekt financiar sepse do t’i kursejmë mijëra euro nga mospagesa e terminaleve doganore dhe do na kursejë edhe me kohë”, tha ai.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave të Kosovës Ibrahim Xhaka, tha se kjo certifikatë do ta ndihmojë shumë këtë kompani, raporton EO.
“Kjo njëkohësisht është një ndërlidhje me procedura doganore si dhe të bërit biznes e ka më të lehtë. Në aspektin tjetër që është një kompani që prodhon dhe eksporton është një program ndërkombëtar me të cilën kemi njohje reciproke”.
“Përveç lehtësirave që i përfiton në territorin doganor të Kosovës, është hera e parë që një kompani kosovare e përfiton certifikatën e Operatorit të Autorizuar Ekonomik. Kjo nënkupton që edhe Kosova së bashku me partnerët e saj do të kyçen në implementimin e CEFTA-s për njohje reciproke me vendet tjera”.
“Kjo i bën favore kompanisë e cila duhet patjetër që t’i respektojë dispozitat ligjore si dhe privilegjet t’i gëzojë në territorin e CEFTA-s me njohje reciproke”, u shpreh ai, teksa tha se një komision i CEFTA-s do të vijë në Kosovë dhe do t’i verifikojë dokumentacionet e kompanisë.
Xhaka tha se edhe tri kompani tjera janë në procedura për ta marrë këtë certifikate, ndërsa tha se dy të tjera veçse e kanë marrë atë.