Fshati Bishtazhin në Gjakovë ka marrë një pamje mahnitëse.
Këtë atmosferë banorët e këtij fshati të Gjakovës e krijojnë prej 16 vitesh.
“Dekorimi i kishës ka ndodhur bashkë me ndihmën e diasporës. Në kishë mblidhemi çdo ditë në bazë të rekomandimeve. Këtë vit dekorimi ka qenë pak më ndryshe, por atmosfera e ngrohë është ajo që e bënë më të veçantë këtë ngjarje”, shprehet për RTV Dukagjinin, banorja Anita Kerhani.
Për pamjen e fshatit janë kujdesuar edhe diaspora dhe nëntë fshatra përreth.
“Në këto fshatra ka një harmoni meqë famullia e Bishtazhinit është ndër më të vjetrat në komunën e Gjakovës…Kjo atmosferë po e bashkon komunitetin, të rinjtë dhe besimtarët katolikë, meqë ka më shumë nga këto zona, por nuk mungojnë edhe pjesëtarët e besimit islam nuk mungojnë”, thotë Tomë Lleshdedaj.
Fshati Bishtazhin ka një histori të veçantë.
“Është fshat nga kohërat e hershme, që do të thotë bishti-zhinit, apo Bishtazhini. Fshati ka rreth 100 shtëpi, por gati 50 prej tyre janë në kurbet. Fshati ka të gjitha shërbimet, si shkolla, komuna, postën etj.”, thotë banori Dejan Tuci.
Që kur është ndriçuar ky fshat ka shumë vizitorë. Veronika Lleshdedaj ka dy vite që vjen dhe e viziton fshatin Bishtazhin.
“Ndjehem mirë sa herë që e vizitojë këtë fshat. Prej dy vitesh vij në këtë fshat bashkë me shoqërinë. Zbukurimet e bëjnë të veçantë këtë fshat por edhe njerëzit janë shumë mikpritës”, shprehet Veronika Lleshdedaj.
Kisha e këtij fshati ka hapur dyer për të gjithë vizitorët që dëshirojnë të shijojnë këtë atmosferë festive.