Komuna e Prizrenit ka preferuar t’i mbajë të fshehur emrat e kandidatëve.
“PrizrenPress” ka kërkuar nga Drejtoria e Arsimit dhe zëdhënësja e Komunës, Besama Hoxha, numrin dhe emrat e konkurruesve për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave, mirëpo nuk janë përgjigjur.
Ndërkaq, burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se emrat e tyre janë duke u mbajtur të fshehur për shkak kalkulimeve politike të koalicionit për zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave.
“Është duke u bërë një luftë e madhe mes partnerëve të koalicionit. Secila parti po tenton të emëroji në këto pozita, sa më shumë njerëzit e vetë”, tregon një burim i afërt me procesin e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të shkollave.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave, do të bëhet në mënyrë transparente.
“Është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për Komunën tonë”, ka shkruar Haskuka.
Ai, ka ftuar të gjithë kandidatët që kanë aplikuar, të lexojnë udhëzimin për procedurën e zgjedhjes së drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve, i cili do të shërbej për krijimin e mundësive për përzgjedhjen e personave më të aftë për këtë punë, “ndërsa Komunës do t’i sigurojë transparencë në këtë proces”.
Thirrjes së Haskukës, ndërkaq nuk po i besojnë disa nga kandidatët që kanë konkurruar për drejtor të shkollave.
Ata, me kusht anonimiteti, i kanë thënë “PrizrenPress”-it, se kandidatët që kanë mbështetje politike tashmë kanë filluar të promovohen si drejtor në shkollat ku punojnë.
“Nuk e di si po thotë kryetari që procesi do të jetë transparent, kur për secilën shkollë po dihet se kush do të zgjedhet drejtor. Vetë kandidatët që kanë mbështetje politike, hapur po e promovojnë zgjedhjen e tyre si drejtor në shkollat ku kanë konkurruar “.
Drejtoria e Arsimit në Prizren, muaj e kaluar ka shpallur konkurs për 19 drejtorë dhe 2 zëvendësdrejtorë të shkollave. Konkursi është mbyllur me 8.5.2018 të këtij viti. Intervistat ende nuk janë mbajtur.