Në Poligonin e KFOR-it, në Zatriq të Rahovecit, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Deminimit, u organizua një operacion për deminimin – shkatërrimin e mjeteve të pashpërthyera, i cili u realizua nga FSK-ja, KFOR-i, Policia e Kosovës dhe nga disa organizata joqeveritare.
Në shënimin e kësaj dite ishin të pranishëm zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi, zëvendëskomandanti i FSK-së, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i Komandës së Forcave Tokësore gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, komandanti i Regjimentit të Mbrojtjes Civile, kolonel Shaip Haziri, Ahmet Sallova- shef i Qendra Koordinuese e Deminimit, si dhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës, KFOR-i amerikan – Bonstill dhe organizatat joqeveritare që veprojnë në Kosovë.
Pas prezantimit të pajisjeve dhe aktivitetit të Kompanisë së Deminimit të FSK-së, KFOR-it, Policisë së Kosovës si dhe të organizatave joqeveritare, u mbajt edhe një takim i shkurtër me përfaqësues të mediave.
Zëvendësministri i MFSK-së, Muhamet Latifi tha se “kemi ardhur këtu për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Deminimit dhe për të përcjellë nga afër përgatitjen profesionale dhe kapacitetet operacionale të pjesëtarëve të FSK-së.”
“Ne si Ministri duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm pastrimi i zonave të minuara, i kemi kushtuar rëndësi të madhe aftësimit të pjesëtarëve të FSK-së, të cilët po japin kontribut të shkëlqyeshëm në këtë aspekt. Këtu ka ndodhur një luftë e cila ka lënë pasoja shumë të mëdha, ku janë minuar shumë fusha. Pastrimi i këtyre fushave është shumë më rëndësi për ne, sepse përveç se siguron jetën e qytetarëve dhe lëvizjen e tyre të lirë, ndikon edhe në zhvillimin ekonomik, për arsye se shumë prona deri më tani nuk kanë pasur mundësi të shfrytëzohen nga qytetarët”, tha ai.
Latifi theksoi se kompania e Deminimit, deri më tani ka pastruar nga minat mbi 50 milionë metra katrorë si dhe janë gjetur dhe shkatërruar 88,778 mina dhe mjete tjera të pashpërthyera, me këto kapacitete FSK-ja do të vazhdojë pastrimin e të gjitha pjesëve të minuara të Kosovës.
Ndërsa, shefi i Qendrës Koordinuese të Ministrisë së FSK-së, Ahmet Sallova pasqyroi aktivitetet e përgjithshme të Kompanisë së Deminimit të FSK-së. Ai shtoi se, FSK-ja që nga viti 2010 ka pastruar mbi 1.745,465 metra katrorë si dhe ka shkatërruar 2177 mjete të ndryshme eksplozive të pashpërthyera, kurse ekipet e EOD-së kanë intervenuar në 2136 raste dhe kanë demoluar 3150 mjete të ndryshme eksplozive.
Sallova tha se përkundër kësaj pune të madhe të njësive të deminimit deri më tash, janë ende edhe 111 zona të afektuar nga minat dhe mjetet tjera eksplozive të pashpërthyera.
Ai falënderoi Njësitet e deminimit të FSK-së dhe organizatat tjera të përfshira në çminimin e mjeteve të pashpërthyera, të cilat kanë krijuar një mjedis të sigurt në këto fushat që tashmë mundësojnë zhvillimin e jetës normale.