Në fshatin Gjurgjevik i Madh, Komuna e Klinës, FSK-ja filloi realizimin e projektit humanitar për zgjerimin dhe rrafshimin e rrugës Gjurgjevik i Madh-Dobërdol në gjatësi prej 4 kilometrash. Me rastin e fillimit të punimeve ishin të pranishëm ministri i FSK-së Rrustem Berisha, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj, gjeneral brigade Naim Haziri, si dhe përfaqësues të tjerë të komunës së Klinës dhe të fshatit Gjurgjevik.
Me një fjalë rasti, fillimin e realizimit të projektit humanitar, e përshëndeti ministri i FSK-së Rrustem Berisha, i cili veç të tjerash tha: „Ne, si Forcë e Sigurisë së Kosovës po dëshmojmë çdo herë se jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Edhe ndërtimi i kësaj rruge sot, e cila do t’ua lehtësojë lëvizjen banorëve të kësaj ane, në bashkëpunim me Komunën e Klinës dhe Ministrinë e Infrastrukturës, është dëshmia më e mirë se jemi në shërbim të qytetarëve të Kosovës”, -përfundoi fjalën e tij ministri Berisha.
Ndërsa, ministri i Infrastrukturës së Kosovës Pal Lekaj, duke falënderuar FSK-në për realizimin e këtij projekti me rëndësi për banorët e kësaj ane, u shpreh: „ Mbështetja e FSK-së, e cila së shpejti do të shndërrohet në ushtri të vendit, po e dëshmon se është në shërbim të të gjithë qytetarëve edhe për nevoja të tjera, krahas ofrimit të sigurisë në territorin e Kosovës”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës Zenun Elezaj falënderoi ministrin Berisha dhe ministrin Lekaj për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhënë komunave në tërë vendin, e në këtë rast edhe Komunës së Klinës.
Në fund, komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale (BMO) gjeneral brigade Naim Haziri, i përgëzojë pjesëtarët e Batalionit të Xhenios të FSK-së, duke ju uruar punë të mbarë dhe të palodhshme në ndërtimin e kësaj rruge.