Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me përfaqësimin e punëtorëve shëndetësorë në Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj COVID-19 nga ana e Zyrës së Kryeministrit. Në një komunikatë për media thuhet se FSSHK që nga fillimi ka vërejtur se kryeministri Avdullah Hoti ka politizuar përfaqësimin […]
FSSHK akuzon Hotin për përfaqësim partiak në Komisionin për reagim ndaj COVID-19

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me përfaqësimin e punëtorëve shëndetësorë në Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj COVID-19 nga ana e Zyrës së Kryeministrit.
Në një komunikatë për media thuhet se FSSHK që nga fillimi ka vërejtur se kryeministri Avdullah Hoti ka politizuar përfaqësimin sindikal duke i ftuar individë ish-kandidatë për deputet nga radhët e partisë së tij, LDK, në takime dhe organizime të tilla.
FSSHK duke qenë përfaqësuese e mbi 11 mijë punëtorëve shëndetësorë, bën të ditur se tani e tutje nuk merr përgjegjësi për veprimet që do t’i ndërmerr ky komision me përfaqësues, të cilët sipas kësaj federate, mbrojnë interesat e ngushta politike partiake dhe jo interesat e punëtorëve shëndetësor, përcjell Telegrafi.
Qeveria ka themeluar sot Komisionin Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj SarS CoV2 – COVID-19.
Komisioni i Ekzekutiv për luftimin, monitorimin dhe reagimin ndaj SarS CoV2 – COVID-19, ka për qëllim të shqyrtojë dhe informojë Qeverinë për çështje të caktuara në lidhje më SarS CoV2 – COVID-19 dhe të këshillojë dhe t’i propozojë Qeverisë ndërmarrjen e veprimeve përkatëse për luftimin dhe përballje me SarS CoV2 – COVID-19.
Anëtarët e Komisionit Ekzekutiv, janë:
- Visar Berisha, Këshilltar i Kryeministrit, kryesues;
- Pleurat Sejdiu, Oda e Mjekëve të Kosovës, anëtar;
- Naser Rrustemi, Oda e Infermierëve të Kosovës, anëtar;
- Fitim Havolli, Sindikata e Infermiereve të Kosovës, anëtar;
- Blerim Kamberi, Oda e Stomatologëve të Kosovës, anëtar;
- Arianit Jakupi, Oda e Farmacistëve të Kosovës, anëtar;
- Naser Ramadani, Shoqata e Epidemiologëve të Kosovës, anëtar;
- Lul Raka, Shoqata e Mikrobiologëve të Kosovës, anëtar;
- Lindita Ajazaj Berisha, Klinika Infektive QKUK-SHSKUK, anëtare;
- Valbon Krasniqi, Klinika Infektive QKUK-SHSKUK, anëtar;
- Dukagjin Zogaj, Klinika e Alergologjisë QKUK-SHSKUK, anëtar;
- Naser Syla, Qendra Emergjente QKUK-SHSKUK, anëtar;
- Lulzim Emini, Asociacioni Kosovar i Anesteziologëve të Kosovës, anëtar;
- Burim Neziri, Instituti i Patofiziologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, anëtar;
- Rinë Limani Instituti i Patologjisë, Fakulteti i Mjekësisë, anëtare;
- Burim Seferi, Kryqi i Kuq i Kosovës, anëtar;
- Iliriana Bajraktari, anëtare;
- Përfaqësues nga Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, anëtar;
- Përfaqësuesi nga Shoqata e Transfuziologëve të Kosovës, anëtar;
- Përfaqësues nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë anëtar; dhe
- Përfaqësues nga Kolegjiumi i Drejtorëve të Shëndetësisë në Komuna anëtar.











