Fundi i kosovarit të KFOR-it dhe i Epokës Ahtisaariane

Prishtinë | 06 Gus 2019 | 18:05 | Nga Valon Syla

Një herë më moti romakët na thanë se jemi ilir, kur u krishterizuam na thanë arbëresh, pastaj si muslimanë na quajtën edhe shqiptarë-turq e otomanë. Pastaj si komunistë e socialistë na quajtën edhe jugosllavë, pastaj kosovarë multietnik, i çpikën edhe egjiptianët nga romët më 1992, për t’u dukur më multi-kulti, pastaj edhe kërkuan që me parime Ahtisaariane të pavarësohemi. Por çfarëdo identiteti që e ndieni për vete, këtë shkrim po e lexoni pikërisht në shqip.

“Kofsh turk, fol drejtë”, thonin nëpër Kosovë burrat kur e kërkonin të vërtetën.

Pramendojeni qysh ju duket kjo sot të rinjëve me smartfonë në dorë, përderisa deri më 1968 përdorej anë e mbanë Rrafshit së Kosovës dhe sidomos katundeve të Llapit, kjo frazë e cila në veti ngërthente konceptin se turku është i ndershëm.

Atë kohë kishte tendencë të fshihej kjo nëpër libra. Nga Instituti Albanologjik edhe pse regjistrohej në mënyrë shkencore, nuk bëhej fort e madhe. Akademikët e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK) e fshihnin këtë fakt nga turpi, përshkak se identitetin që dëshironin t’ia tregonin studentëve të posaregjistruar në Universitetit të Prishtinës (UP) i cili poashtu ishte posaformuar më 1970, kishin një tregim më ndryshe për shqiptarin. Një tregim më romantik, më soc-realist, dhe me ngjyrime të dëshiruara, për identitet të ri, duke u thirrur në kthim në gjenezë apo ‘rilindje kombëtare’, ku edhe u themeluan gazeta shtetërore me të njetin emër ‘Rilindja’.

Por, të fillojmë me kohën kur Anton Çetta e Mark Krasniqi mbledhnin shënime nëpër katundet kosovare. Përralla e fjalë të urta, për të gjetur gjenezën e shqiptarit të pa prekur nga ideologjitë botërore. Apo më mirë të themi lëndën e parë të shqiptarit, që nuk e kishte ndikuar as turqizmat e as jugo-sllavizmat, si pjesë të fuqishme që ndikonin atëkohë jetërat shqiptare. Por ishte vonë sepse njëra fuqi konvertuese si osmanishtja e kishte shtyer shqiptarin të vesh kule e dimi, përderisa burrat i kishte shtyer të ulen këmbëkryq si turq nëpër oda, që ende mobilohen si çadrat e oguzturqve (paraardhësve osmanli), me çilime, shilte të ulur në tokë, përreth…

Përderisa, socializmi jugosllav, i kishte zhveshur edhe nga këto prona otomane, i kishte lënë edhe më të varfër dhe i kishte futur në një shkollim propagandistik që i mësonte se të qenit shqiptar, ishte antishtetëror dhe anti rrugës integruese jugosllave, sikur ishte primitive dhe evoluimi në modernizëm, interpretohej sikur bërje ‘shka’, serbizëm, dhe asmilim. E vërtetë, deri diku, por anti-shqiptare në esencë… Kjo fatkeqiësisht vazhdoi deri më 1968.

Por, prej 1968 atëherë kur filloi ringjallja pozitive nga një gjenerate e artë kosovarësh të mirë-edukuar dhe misionarë neo-shqiptarë, të cilët arritën kulmin me 1974 me duke themeluar Kushtetutën e parë kosovare të KSAK e që vazhdoi me super përparim deri te demonstratat e vitit 1981, kur edhe filloi fundi i neo-shqiptarit dhe ringjallja e shqiptarit jugosllav, deri 2 dekada më vonë, kur bombardimet e NATO’së mbi Jugosllavinë shkatërruan këtë koncept jugosllavi dhe nisën diçka të re. Gjeneratat e reja duhet ta kuptojnë se Jugosllavia ishte diçka si Bashkim Europian (BE). Por e dedikuar për sllavë të jugut dhe një multikulturë e integruar, por jo me parime neoliberale si BE, por me parime Socialiste, që dështoi nga frymat nacionaliste dhe popullsite serbe. Edhe pse ky shtet u nda në koncepte të republikave me tipare etnike, Kosovës fuqitë e mëdha përsëri i kërkuan të mbetet multi-etnike.

Kosovari i modern i KFOR’it si komshi i mirë i serbit

Ishte 17 qershor, 1999 kur parashutistët britanikë ndiqnin milicinë e fundit të dehur dhe të armatosur serbe nga Prishtina. Ishte ditë e ftohtë qershori, që s’mbahej mend ky ftohtë ndonjëherë. Thoshin se raketat anti-reve që forcat e NATO’së i kishin hedhur për ta kthjellur qiellin, e për ti parë caqet jugosllave më qartë e kishin çatalluar motin. Kështu filloi çlirimi i Kosovës. Duke i ndjekur Serbët dhe jugosllavët, pastaj duke rindertuar shtëpitë e shkatëruarra nga ata që ikën, e pastaj duke na ligjeruar se jemi kosovarë, dhe se duhemi të mbetemi komshi të sjellshëm të serbit. Secili i mbanë mend videot e KFOR’it që shqiptari me plis dhe serbi me shajkaçë, e qonin mirë te gardhi. Apo jo?

Kështu predikohej për të qenë i mirë, i pranueshëm dhe për ta fituar Pavarësinë, duhesh të jesh i mirë me serbët. U bëmë kosovarë dhe multietnik. I pranuam edhe pakicat që i kishte krijuar Slobodan Milosevic artificialisht me 1992, që nga romët, kishte çpikur egjiptianë, por pa piramida, dhe të gjithë të tjerat. U bëmë komshi të mirë me serbët. E diskriminuam edhe vetën edhe të tjera pakica, vetëm për të arritur të tregohemi super të mirë me serbët, deri te fitorja e Pavarësisë.

Me 17 shkurt 2008 e dëgjuam Marti Ahtisaarin. E themeluam FSK’në, ku menduam se serbi dhe shqiptari do t’i mbronin kufinjtë bashkë, me boshnjakun, romin dhe turkun, në një armatë të vogël në shërbim të BE’së dhe NATO’së.

Shumë ide e mirë, dhe romantike. Veç edhe jo funksionale që s’po dhezë dhe s’po punon kursesi në këtë frymë revolucioni popullist që po mbizotëron anë e mbanë botës, nga Brexiti në Londër, Salvini në Itali, Erdogani në Ankara, e Trumpi në Washington. Çka po mbetemi ne kosovarët ahtisaarian? Një territor me rreth 2 milionë banorë, të varfër dhe të edukuar keq, dhe të papranuar nga BE.

Fryma Europiane, flamuri dhe fishkëllimi i himnit, kudër burive etno-centrike

Konkursin për flamurin e Kosovës e kishte shpallur Institucionet Vetëqeverisëse Kosovës (Kosovo/UNMIK). Aty kërkohej që flamuri i Kosovës, mos të ketë tipare etnike dhe ti përngjajë frymës europiane. Kjo ngjarje apo kërkesë identiteti ishte vetëm 12 vite më parë, kur Kosova Ahtisariane që po e mbrojnë sot avokatët e vonuar kombëtar nëpër debate televizive, po mbarohej me konkurs.

Dhe doli një flamur me hartë të cilit i qëndroj lojal deri në proceset tjera. Edhe pse propozova një flamur trikolor si ai i revolicionit francez, belg e holandez, vetëm se kishte ngjyrat etnike shqiptare me kuq, bardhë e zi, dhe ju afrova vendit të dytë.

U zgjodh flamuri me frymë evropiane, me ngjyrat e Bashkimit Europian (BE), edhe pse prapë 5 vende nga ky Union, nuk na njohin sepse gajlet e tyre janë më të mëdha se gajlet tona. Askush nga sponzorët e pavarësisë nuk arriti t’i bind. Dhe dështuan ata dhe ne. Kështu po dështon edhe koncepti Ahtisaarian, për Kosovën.

Deri sa bota po i mshon burisë etno-centrike, Kosovës po i kërkohet t’i fishkëloj himnin, që s’mundet ta këndojë. Ti lusë serbët në Veri, mos t’i besojnë Beogradit, dhe t’i bind shqiptarët e Kosovës që janë 95 përqind e popullatës se janë multietnik. Si ka mundësi një vend me 95 përqind shqiptarë të jetë më multietnik, se vendet tjera europiane që etnikisht nuk përmbushin as 70 përqind të popullatës? Plus krejtë kësaj, mbetemi fallco, por edhe jofunksional, i pa njohur nga ‘ato 5 vendet multietnike’ të BE’së.

Në këtë katrahurë, as nu kmund ta bërtasim himin. Por vetëm ta fishkëllojmë, duke mos guxuar të tregojmë se çka në fakt jemi, si shumicë. Nëse euroskeptikët i fitojnë zgjedhjet, dhe rikonfigurohet BE, çfarë të bëjnë militantët e kosovarizmit Ahtisaarian? A nuk u krijua Kosova si pjesë e Shpërbërjes së Jugosllavisë, dhe si shtet multietnik që duhet të ndjekë frymën evropiane?

Çka nëse kjo Europë që duhet integruar ne multietnikët e Kosovës, nesër duket ndryshe. E rikonfiguruar tërësisht, apo e shkatërruar në thelb, pa Britaninë dhe vetëm një Beneluks (Commonwealth) i Francës, Gjermanisë dhe Holandës, me miqtë e vegjël të Beneluksit?

Cila është arsyeja që ti gjuajmë ngjyrat tona, për një frymë që shumica po e shohin me skepticizëm?

Kjo nuk shpjegohet ndryshe, përpos si fillimi i fundit të një epoke Ahtisaariane, për Kosovën.

Megjithëkëtë, kosovarët e zellshëm duhet ta falmeminderojnë Z. Ahtisaari. Ideja e tij për Kosovën ishte briliante. Por është pikërisht BE që nuk po arrinë ta njehë dhe ta integrojë këtë ide, që erdhi nga Presidenti i Finlandës Marti Ahtisaari një njohës shumë i mirë i Rusisë, Amerikës dhe Evropës, dhe nga Austria e vjetër dhe mike e shqiptarëve, dhe Albert Rohanit të urtë, që kontribuoi në idenë e Planit të Pavarësisë së Kosovës. (gazetametro.net)

Të ngjashme