Gjithnjë e më shumë gjurmë digjitale dhe algoritma gjithnjë e më të forta zbulojnë tiparet tona më intime të personalitetit. Sfera private nuk ekziston më, deklaron Michal Kosinski në Global Media Forum.
DW: Michal Kosinski, ju e deklaruat të humbur sferën private. Lënda e parë e së ardhmes janë të dhënat personale; modelet e biznesit të së ardhmes bazohen në shfrytëzimin e tyre. Çfarë mund të bëjë shoqëria, në mënyrë që nga përparësitë e Big Data të përfitojnë të gjithë dhe jo vetëm një grusht gjigantësh të teknologjisë të Silicon Valley-t?
Kosinski: Kur nuk e pengon dot një vërshim, duhet të gjesh rrugë që ta kufizosh dëmin dhe që ta rrisësh dobinë: Ndërtoje shtëpinë mbi kunja! Shfrytëzoje vërshimin, baticën, për t’i plehëruar fushat e tua! Unë nuk jam i lumtur që po e humbasim sferën tonë private. Por sa më shpejt që ta pranojmë, se nuk mund të ndërmarrim asgjë kundër kësaj, aq më shpejt kemi mundësi të mendojmë se si mund ta bëjmë një botë të post-sferës-private në një vend ku ia vlen të jetosh – dhe po kaq më e mirë do të bëhet e ardhmja jonë.
Dhe mund të ndërmarrësh diçka: në një shoqëri tolerante nuk i intereson askujt se ku dallohem unë nga të tjerët dhe cilat janë tiparet e personalitetit tim. Kjo nuk do t’i interesonte askujt! Pse duhet të parashikoj unë, nëse je homoseksual apo jo, kur kjo nuk mund të përdoret kundër teje? Në një shoqëri të shkolluar është më e vështirë që t’i manipulosh njerëzit që të besojnë në teori komplotesh ose që të mos shkojnë në zgjedhje.
Ju treguat në Global Media Forum në mënyrë shumë impresionuese se që mbi bazën e 300 klikimeve “pëlqej” në Facebook mund të bëhet një pohim preciz për një person. Sipërmarrja Cambridge Analytica i vuri synim vetes vitin e kaluar që t’i ndikonte zgjedhësit me mesazhe të përshtatura për ta në dobi të Donald Trumpit. Sipas të dhënave të saj, Cambridge Analytica zotëronte profile të 230 milionë qytetarëve të SHBA, me 4000 pika të dhënash. Sa precize mund të bëhen parashikimet me një thesar të tillë të dhënash?
Kosinski: Kërkimet e mia, dhe ato të shkencëtarëve të tjerë, të lënë të kuptosh se me një sasi të tillë të dhënash mund të përcaktosh në mënyrë shumë precize tipare personaliteti dhe të bësh parashikime për sjellje të ardhshme. Unë megjithatë nuk e di saktësisht se me cilat të dhëna ka punuar Cambridge Analytica. Tani kur i kërcënon një hetim, ata thonë se nuk kanë pasur në fakt kaq shumë të dhëna. Në të ardhmen mund të ekzistojnë sipërmarrje që do të punojnë në një mënyrë të tillë pa e bërë publike dhe pa shitur mend.
A nuk hap kjo dyert për një manipulim pa kufi?
Kosinksi: Unë jam optimist. Nuk dua të kuptohem si dikush që nxit frikëra. Unë besoj se këto teknologji e përmirësojnë përditë jetën tonë – dhe e kanë bërë këtë edhe në vitet e fundit. Potenciali i tyre i plotë ende nuk është shfrytëzuar. Por si çdo teknologji tjetër, edhe kjo mund të shpërdorohet. Algoritmet mund të përdoren për medikamentin e duhur, të konstatojnë që ke depresion e edhe të parashikojnë që ekziston një rrezik për të vrarë veten dhe të gjejnë pastaj rrugën më të mirë si të veprohet. Me të njëjtat algoritma edhe mund të të manipulojnë, për të blerë diçka ose për t’i besuar një gënjeshtre. Kjo është si në mjekësi: me të mund të shërosh, por edhe të helmosh. Këtu shoqëria duhet të vërë kufij e edhe t’i imponojë ato.
Michal Kosinski është psikolog, ekspert për të dhënat dhe psikometrik. Aktualisht ai punon në Stanford Graduate School of Business në ShBA.