Kjo fundjavë do t’i sjellë disa ndeshje tejet joshëse në Ipko Superligën e Kosovës në futboll, gjë e cila edhe bën të karakterizohet si njëra nga javët më interesante në këtë start të kampionatit.
Pa dyshim e gjithë vëmendja do të jetë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku të dielën, nga ora 20:00, do të ndeshen Prishtina e Gjilani, dy rivalë këta bukur të mëdhenj.
Për Prishtinën kjo ndeshje assesi nuk guxon të humbet, pasi do ta rrezikonte hapin në luftë për kreun e tabelës, derisa Gjilani drejt kryeqytetit udhëton me synime për ta ruajtur vazhdimësinë.
Ndeshje tejet interesante priten edhe në Gjilan, ku Drita e pret Trepçën ’89, e cila e nisi mirë garën, por në ndeshjet e fundit po gjen vështirësi.
Kjo javë karakterizohet edhe me ballafaqimin e skuadrave që luftojnë për mbijetesë, siç është ajo Ferizaj – Drenica.
Një ndeshje me rivalitet do të jetë edhe mes Flamurtarit e Llapit, që zhvillohet në “Xhemail Ibishi” të Prishtinës.