Manchester Unitedi do të mundohet t’i vazhdojë rezultatet pozitive në kohë festash.
Të shtunën nga ora 13:30, Leicester City do të jetë nikoqir i Manchester Unitedit, në ndeshjen me të cilën do të nisë xhiroja e 15-të në Premier League.
Në rast të fitores, “djajtë e kuq” do ta barazonin rekordin në elitën e futbollit anglez me më së shumti fitore të njëpasnjëshme në udhëtim. Do të ishte fitorja e 11-të, si mysafire për skuadrën e drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer.
Njëra prej këtyre fitoreve, 2:0, kishte ardhur pikërisht në “King Power Stadium” në ditën e fundit të sezonit të kaluar, ndërsa Unitedi e siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Fitorja e fundit e “dhelprave” në shtëpi kundër Unitedit në 14 ndeshjet e fundit ka qenë ajo e shtatorit të vitit 2014, me rezultatin 5:3. Ndërsa, në 11 takimet e fundit ndërmjet vete, Unitedi është i pamposhtur. Ka tetë fitore e tri barazime.
Duhet përmendur edhe faktin se Leicesteri i ka humbur 19 ndeshje në Premier League kundër Manchester Unitedit, më shumë se ndaj çdo skuadre tjetër.
Takim tjetër tejet interesant do të luhet gjithashtu të shtunën në orën 18:30.
Arsenali aspak në formë të mirë, do të jetë nikoqir i Chelseat.
Në duelin e vitit të kaluar, Chelsea shënoi dy herë brenda 7 minutash kundër Arsenalit dhe fitoi me rezultatin 2:1.
“Revolveristët” nuk i kanë humbur dy duele rresht në shtëpi nga Chelsea që prej nëntorit të vitit 2009.
Në duelin e fundit mes vete, Arsenali fitoi 2:1 kundër “Bluve të Londrës” në finalen e Kupës FA që u mbajt në muajin gusht.
Në 17 takimet e fundit në Premier League, Chelsea i ka humbur vetëm dy, dhe që të dyja në stadiumin “Emirates”. Chelsea ka nëntë fitore e gjashtë barazime.
Pasi e mposhti 7:0 në udhëtim skuadrën e Crystal Palaceit, Liverpooli tani luan në shtëpi kundër ekipit të rrezikuar në tabelë, West Bromwich Albionit.
Takimi që do të zhvillohet në “Anfield” do të luhet të dielën prej orës 17:30.
Kampioni në fuqi i Premier Leagues është në vendin e parë me katër pikë më shumë se përcjellësi më i afërt. Ka shënuar më shumë gola se çdo ekip tjetër këtë edicion deri tani.
Crystal Palace tani do të udhëhiqet nga Sam Allardyce, i cili ishte trajneri i fundit që ka fituar në udhëtim në “Anfield”. Ishte prilli i vitit 2017.