Nuk ishte vetëm numri në tabelën e medaljeve. Ishte një tjetër dëshmi se ku rreh më fort zemra e sportit kosovar!
Për Kosovën, sportet luftarake prej vitesh kanë qenë pikërisht ajo arenë ku këto vlera janë shndërruar në fitore e medalje.
Nga Taranto, Kosova u kthye me një bilanc për t’u mbajtur mend, nëntë medalje – dy të arta, tri të argjendta dhe katër të bronzta.
Një sukses i ndërtuar mbi paraqitjet e sportistëve që edhe një herë dëshmuan se Kosova di të jetë në mesin e më të mirëve, sidomos atëherë kur gara kërkon të luftosh deri në fund.
Dhe aty ku Kosova ka ditur të jetë më e fortë, sërish ishte xhudoja.
Nga shtatë garues, pesë medalje.
Laura Fazliu fitoi të argjendtën, ndërsa Akil Gjakova, Shpati Zekaj, Flaka Loxha dhe Fatjona Kasapi u kthyen me medalje të bronzta.
Secila prej tyre është një histori më vete, por së bashku tregojnë të njëjtën gjë: xhudoja vazhdon të jetë një nga shtyllat më të forta të sportit vendor.
Pesë medalje nga një sport. Pesë herë flamuri verdhë e kaltër në podium.
Lojërat Mesdhetare 2026 nuk sollën vetëm vazhdimësinë e një tradite tashmë të konsoliduar, por edhe dy momente të arta që e zgjeruan hartën e suksesit kosovar.
Në ring, Donjeta Sadiku u përball me kundërshtaret e saj dhe në fund doli në krye.
Medalja e artë në boks ishte një tjetër konfirmim i një emri që prej vitesh është pjesë e skenës së madhe të sportit kosovar.
Edhe në karate, flamuri i Kosovës u ngrit në majën e podiumit!
Islam Selmani fitoi medaljen e artë, duke i sjellë vendit një tjetër moment të veçantë në Taranto dhe duke dëshmuar se edhe kjo disiplinë po bëhet pjesë e historisë së suksesit ndërkombëtar të Kosovës.
Dhe ky bilanc nuk është vetëm i artë, i argjendtë e i bronztë. Është edhe rekord. Pas katër medaljeve në Tarragona 2018 dhe gjashtë në Oran 2022, në Taranto 2026, Kosova e theu rekordin e saj me nëntë medalje.
Edhe pse pritshmëritë për medalje ishin edhe në taekwondo, atletikë dhe në sportet ekipore – futboll, basketboll 3×3, hendboll e volejboll, në sportet luftarake, Kosova edhe një herë foli gjuhën që e njeh më së miri.
Në Taranto, ajo gjuhë ishte sërish gjuha e sportit luftarak!