Fushata e kandidatit për president të Francës, Emmanuel Macron ka refuzuar që të akreditojë gazetarët e Russia Today dhe Sputnik, pasi ekipi i Macron ka thënë se mediat shtetërore ruse kanë publikuar informata të pasakta për kandidatin.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova ka thënë se mosakreditimi i këtyre medieve është “diskriminim i qëllimshëm ndaj mediave ruse nga kandidati për president të një shteti, i cili historikisht ka qenë vigjilent kur është bërë fjalë për lirinë e shprehjes”.
Sputinik dhe RT janë krijuar nga Kremlini, si media për të huajt, raporton REL.
Një zëdhënës i Macron, i ka përshkruar këto media si entitete të cilat shpërndajnë propagandën shtetërore ruse dhe lajme të rreme.
Në shkurt, Macron ka akuzuar Kremlinin për fushatë kundër tij, përmes mediave shtetërore. Por ai nuk kishte përmendur se cilat media po përhapin lajme të rreme ndaj tij.
Por një grup për siguri kibernetike, javën e kaluar ka thënë se fushata e Macron është sulmuar nga një grup i hakerëve rusë. Grupi Pawn Storm, që shpesh është lidhur me disa sulme të profilit të lartë në Perëndim, besohet se ka lidhje me shërbimet e sigurisë në Rusi.
Ky grup është thënë se ka vjedhur të dhënat e ekipit të fushatës së Macron. Moska ka mohuar se po tenton të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale franceze.
Raundi balotazhit ndërmjet Macron dhe kandidates së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen do të mbahet më 7 maj.