Fushata zgjedhore në Mitrovicë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, e cila do të zgjasë 30 ditë, ka filluar qetë në jug dhe me tensione në veri, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Në jug, përkatësisht në Mitrovicë dhe në Skenderaj, fushatën në ditën e parë dhe të dytë e ka hapur PDK-ja, me premtime të mëdha për qytetarët e Kosovës.
Edhe në veri të Mitrovicës fushatën e parë e ka hapur PDK-ja, e cila kandidon edhe me kandidat për kryetar të Komunës Veriore të Mitrovicës, e që është një grua, Gonxhe Qaushi.
Ndërkaq në veri që në fillim të fushatës disa nga subjektet politike kanë akuzuar Listën Serbe se është duke bërë presion të “paparë” mbi kandidatët e subjekteve politike të tjera që të tërhiqen nga gara, e që ka rezultuar me disa tërheqje.
Aq më keq, sipas subjekteve politike serbe në veri, kandidatët që po tërhiqen nga gara po detyrohen të mobilizohen për mbledhje të votave për Listën Serbe.
Në jug të Mitrovicës dhe në Skenderaj PDK-ja ka nisur fushatën me premtime të mëdha, shkruan tutje “Zëri”.
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatët për asamblistë dhe me kandidaten për kryetare të Mitrovicës së Jugut, Valdete Idrizi, kanë takuar qytetarët përgjatë rrugës kryesore të qytetit në jug.