Fushatë me afishe kundër Vetëvendosjes në Prishtinë

Prishtinë | 09 Sht 2016 | 12:08 | Nga

Rrugët e Prishtinës kanë nisur të mbushen me disa afishe në të cilat po bëhet krahasimi mes kriminelit serb, Zheleko Raznatoviq-Arkan, dhe sekretarit organizativ të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Veç kësaj, në afishe shihen edhe krahasimet që i janë bërë Lëvizjes Vetëvendosje me grupin kriminel të Kolumbisë, “Medellin”, rrjet ky i organizuar i dilerëve të drogës që ka funksionuar në vitet e ’70-ta dhe të ’80-ta në Bolivi, Kolumbi, Honduras, Peru, në SHBA, Kanada e Evropë.

“Gjeni dallimet”, shkruan në njërën prej tyre derisa në fotografi janë paraqitur kryekrimineli Arkan dhe sekretari organizativ i Vetëvendosjes, Molliqaj.

Derisa në tjetrën shkruan se në krahasimi bëhet për të ngacmuar kujtesën për të kaluarën dhe të tashmen.

“Shkatërrimi i Kosovës është Misioni i tyre”, dhe “#VV VëllaVrasje”, janë disa nga fjalët me të cilat vazhdon kjo afishe.

Në afishet tjera, që i janë dërguar redaksisë së Koha.net, shihet se si shpërndarësit e tyre, që ende nuk dihet se kush janë, kanë bërë krahasime mes politikës së Vetëvendosjes dhe asaj të Serbisë.

“JO = Republikës së Kosovës, MSA-së, Demarkacionit, Flamurit Shtetëror, Kosovës në OKB, VV=Rrezik Kombëtar. PO = Shkatërrimit të Shtetit”, është një prej afisheve tjera që janë parë ditëve të fundit nëpër lagje të ndryshme të kryeqytetit.

Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Flora Ahmeti, ka thënë për Koha.net se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga palët e prekura.

“Kemi informata se ditë më parë janë shpërndarë afishe të ndryshme kundër një subjekti politik, por që deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ankesë nga askush”, ka thënë zëdhënësja Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme