Organizata “Green Art Center-Prishtina”, ka promovuar projektin i cili fokusohet në përmirësimin e organizimit të shërbimit të mbeturinave komunale dhe nisjes së ndarjes së mbeturinave në burim për shtatë komuna në Kosovë, në kuadër të fushatës vetëdijesuese “N’vend T’vet”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë promovim morën pjesë edhe fëmijë të shkollave të ndryshme të cilët përmes aktiviteteve të shumta u njoftuan se si duhet të bëhet ndarja e mbeturinave dhe rëndësia e riciklimit të tyre.
Pjesë në promovimin e këtij projekti ishte edhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.
Ajo u zotua në krijimin e një kornize ligjore për trajtimin e mbeturinave. Ajo tha se trajtimi i tyre do të jetë prioritet.
“Projekti është një shembull i mirë për ngritjen e vetëdijesimit dua të inkurajoj për punën e tyre dhe për ti shprehur mbështetje. Ndërtimi i një sistemi efikas është një nga sfidat që do të merrem intensivisht për të përmbushur këtë vetëdijesim është angazhuar për të ngritur një kornizë ligjore”.
“Sfidë mbetet funksionalizimi i mekanizmave që mundësojnë zbatimit e kësaj kornizë ligjore. Prioritet i imi është trajtimi i duhur i mbeturinave, mbyllja e deponove ilegale dhe shndërrimi i tyre në zona të gjelbra”.
Ajo gjithashtu tha se do të mbështes edhe iniciativat qytetarë do të përmbushim objektivat për riciklimin e mbeturinave, raporton EO.
Ndërsa Kai Hofmann, përfaqësues i projektit të GIZ-it, tha se janë të përkushtuar në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në Kosovë duke shtuar se vetëm 52 për qind e banorëve kanë qasje në shërbimet publike për mbeturina.
Ai tha se janë të angazhuar në rritjen e këtij shërbimi në mënyrë që të zvogëlojnë sa më shumë veprimtaritë të deponive ilegale.
Ky projekt fokusohet në përmirësimin e organizimit të shërbimit të mbeturinave komunale dhe nisjes së ndarjes së mbeturinave në burim për shtatë komuna në Kosovë.