Është përuruar libri “Gjinekologjia me obstetrikë për infermieri dhe mami” i autorëve Myrvete Paçarada, Vlora Ademi-Ibishi dhe Nyltene Kongjeli, raporton EkonomiaOnline.
Rektori i UP-së, Marjan Dema tha se është i lumtur që po promovohet ky libër i pari i këtij lloji në Kosovë, i cili do t’u shërbejë jo vetëm studentëve, por edhe vet mjekëve.
“Jam i lumtur që në cilësinë e rektorit të marrë pjesë në promovimin e parë në fushën e gjinekologjisë. Ky libër përveç që do të i shërbej studentëve dhe do të jetë një dritare për profesionistët që e ushtrojnë këtë profesion. Ky libër ofron pikëpamjet e fundit në nivelin gjeografik të vendit tonë që e bënë më të kapshme për studentët.
Rektori Dema i ndau mirënjohje autores Myrvete Paçarada për punën si profesioniste shëndetësore dhe si pjesë e fakultetit të mjekësisë.
Astrit Bimbashi- recensent i librit tha se ky libër është bashkëkohor dhe në përputhje me kërkesat e OBSh-së.
“Është një vepër shumë e mirë dhe është një vlerë shumë e mirë. Është libër bashkëkohor dhe përmbledh të gjithë kërkesat e OBSh-së, dhe një libër që në lëminë e mamisë është shumë i nevojshëm, pasi ka ardhur koha t’i lëmë zakonet e vjetra në këtë lami”, tha ai.
Rubena Mojsiu -recensente e librit u shpreh se ky libër përveç që do të përdoret në Universitetin e Prishtinës, do t’u shërbejë edhe atyre në Tiranë.
“Unë dhe prof Astriti e kemi parë këtë libër të rritet të mbushet me brumë, në fillim ishte ideja të ishte për personelin e mamisë por gjatë rrugës u mbush dhe mund të them se tani mund të përdoret edhe nga mjekët. Do të ishte mirë që të gjithë nga mjekët ta kishin në bibliotekën e tyre, ky libër do të shërbejë jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri nga ne”, tha ai.
Myrvete Paçarada, autore e librit tha se me këtë libër po kurorëzon një punë 40 vjeçare.
“Jam shumë e lumtur që po e promovojmë librin, është një punë e lodhshme 40 vjeçare, gjatë punës tonë në klinikë dhe në universitet kemi vërejtur mungesë dhe kemi parë të arsyeshme të përgatisim një libër për studentët”, tha ajo.
Vlora Ibishi- bashkautore tha se ky libër ka ardhur si nevojë për studentët dhe stafin profesionist.
“Duke qenë dëshmitarë të zhvillimit në fushën e mamisë kemi ardhur në përfundim që duhet të përgatisim një libër, me në krye doktoreshën dhe profesoreshën Myrvete Paçarada. Ne studentëve u kemi ofruar një tekst unik, ku përmban edhe elemente nga vendi ynë, e bënë unik pasi libri është zhvilluat në bashkëpunim të ngushtë me kolegët nga Tirana”, tha ajo.