Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e Krimeve Ekonomike dhe Antikorrupsion në Gjilan, ka pranuar informatën nga një bankë komerciale në Gjilan se në tri raste, në kohë të ndryshme, janë depozituar kartëmonedha 50 € false.
Pas ekzaminimit të kartëmonedhave, të gjitha kanë rezultuar të jenë të falsifikuara. Gjatë hetimeve intensive policore, janë siguruar dëshmi se: një person i dyshuar ka vënë në qarkullim kartëmonedha të falsifikuara përmes ATM (bankomatit), pastaj ka shkuar në ATM-në tjetër të së njëjtës bankë dhe ka tërhequr shumën e njëjtë të parave duke bërë “ndërrimin” e parave të falsifikuara me ato origjinale.
Policia ka arritur ta identifikojë personin e dyshuar dhe i njëjti është arrestuar. Policia përmes hetimeve ka zbuluar se personi në fjalë nuk ka vepruar i vetëm. Pos tij, ka arritur të identifikojë edhe një person tjetër te dyshuar të cilin po ashtu e ka arrestuar.
Me urdhër të Gjykatës Themelore Gjilan, policia kontrollon dy lokacione. Në lokacionin e parë (në vend-banimin e personit që ka deponuar para të falsifikuara) nuk gjen asgjë, kurse në lokacionin e dytë, që i takon personit të dytë të arrestuar, policia ka gjetur dhe sekuestruar përkohësisht, shumën e parave në vlerë prej 14 900 €, që dyshohet se janë fituar me konsumim të Veprës Penale, Neni 302 i KP-se “Falsifikim i parasë“.
Personat e arrestuar si të dyshuar janë: J.Q. (1994) dhe B.D. (1986).
Në konsultim me prokurorin kujdestar të PTH-së Gjilan, të dyshuarit janë ndalur në ndalim policor prej 48 orësh, për të vazhduar me procedurat e mëtejme hetimore.