50 këshilla për t’u bërë i pasur

Prishtinë | 09 Gus 2023 | 07:55 | Nga Ekonomia Online

Dëshira e çdo kujt do të ishte të kishte një shtëpi të rehatshme, një familje të shëndoshë, një punë të mirë dhe të ardhura sa më të larta. Por të kesh të ardhura të mjaftueshme dhe të mos i menaxhosh ato në mënyrën e duhur, do të ishte diçka negative. Të investosh për nevojat e tua personale, për të ardhurat familjarë, apo për shkollimin e fëmijëve të tu, sigurimin e shëndetit, apo edhe për pleqërinë që nganjëherë e mendojmë të largët; do vërtet pak taktikë e zgjuarsi.

Më poshtë do të gjeni 50 këshilla e mënyra të efektshme për t’u pasuruar dhe për të kursyer në mënyrë të leverdishme të ardhurat tuaja. Objektivi juaj duhet të jetë ai i të kursyerit të parave dhe jo mënyra se si t’i shpenzoni ato. Gjithmonë e më shpesh bizneset e reja po hapen gati pa asnjë lek të kursyer, duke marrë hua në bankë apo tek të njohurit. Kur hap një biznes të ri optimizmi është i lartë dhe mendohet se borxhet do të paguhen me të ardhurat nga biznesi. Por, zakonisht duhen muaj apo edhe më shumë se një vit për të pasur fitim. Kështu që shpejt mund të fillojnë problemet, sidomos në rastin e një huaje bankare ku duhet të shlyesh këstet periodike. Këshilla e ekspertëve është që të kurseni sa më shumë para, që të keni mundësi përpara se t’i hyni një biznesi. Mundësisht të gjitha shpenzimet për një vit. Edhe nëse do të keni të ardhura, përsëri do ju duhen për shpenzimet shtesë për të rritur kapacitetin apo detyrime dhe shpenzime të paparashikuara.

Disa këshilla për ata që kanë para

Nëse doni të fitoni shumë, duhet që edhe të rrezikoni shumë. Ndoshta fati iu ka përkëdhelur dhe fitoni më shumë se sa shpenzoni, ose ndoshta sapo iu ka rënë në dorë një shumë e madhe parash dhe doni ti investoni. Të derdhësh paratë e tua në një investim goxha të madh është veprim me mend, vetëm se duhet të dish të jesh gati për të tatëpjetat sikurse edhe të përpjetat. Nëse pranoni të rrezikoni, ja ku janë shtatë strategji që duhet t’i keni parasysh.

1. Përqendrohu

Shumëllojshmëria në prodhim (më qartë: portofoli i diversifikuar ose pasja e disa bizneseve njëherazi) është e rëndësishme pasi zvogëlon rrezikun. Por vjen koha kur mund të duash të zvogëlosh gamën e shumëllojshmërisë duke përqendruar një pjesë të madhe të rrezikut vetëm në një sektor. “Nëse kërkon të fitosh më shumë se sa mesatarja e zakonshme e arritshme, mënyra e vetme për ta arritur është duke zvogëluar shumëllojshmërinë”, – thotë Jordan Kimmel, president i Magnet Investment Group në SHBA

2. Merrni kredi

Një mënyrë e shpejtë është të marrësh para hua për investimin tënd. Në SHBA kjo zakonisht bëhet nëpërmjet një llogarie me përqindje nga një firmë ndërmjetëse, por vende të ndryshme kanë mënyra të ndryshme. Tim Filips nga Philips&Co, (një firmë që menaxhon pasuritë në Portland) sugjeron se një hua e arsyeshme është një mënyrë me të cilën klientët mund të rrisin fitimet e tyre. Por duhet të tregohen të kujdesshëm. Kredia të sjell fitim nga para të cilat nuk i kishe fare, por sjell me vete edhe një rrezik të madh. Përdoruesit e huave me përqindje duhet të dinë se një rënie në vlerë e investimit, do të ndikoje direkt tek përqindja e huasë, duke sjellë nevojën për më shumë kapital. Investuesit që nuk mund të paguajnë, mund të falimentojnë.

3. Ruani zbritjet

Ashtu si thuhet nga një shprehje amerikane: të duash më të dobëtin mund të duket e vështirë, por ndonjëherë nga kjo fiton më shumë. Për këtë arsye Filips rekomandon që investuesit të kenë parasysh rastet e obligacioneve të huamarrjes si p.sh., obligacionet e nxjerra nga kompani që janë në prag të falimentimit ose aksione në bankë që kanë vlerën e pronave të paluajtshme. “Përpiqemi të gjejmë raste që bazohen tek intuita e fortë dhe tek përgjigje emocionale ekstreme”. Kjo është e rrezikshme sepse duhet të ketë një arsye se pse një investim është kaq i lirë, dhe nëse çmimi i ulët është një funksion ndjenjash dhe jo parimesh bazë, atëherë shlyerja mund të jetë mjaft e madhe.

4. Jo vetëm firmat e njohura

Shumë investues ndjehen më të sigurt me diçka të njohur. Por fakti që del në treg nën një emër të panjohur nuk do të thotë fare se investimi nuk ishte i mirë. Kimel rekomandon që investuesit të gjejnë kompani të cilat rrisin të ardhurat me 20% ose më tepër në vit duke rritur përqindjen e fitimit me 5% ose më shumë. Vetëm pak kompani mund t’i përmbushin këto kritere, – thotë ai dhe është e vështirë t’i gjesh. Duhet të pranosh të kesh edhe kompani që nuk janë shumë të njohura, thotë Kimel. Fitimi që ato sjellin sigurisht që të ngroh më tepër sesa emri i ndonjë firme të madhe. Në fund të fundit doni të bëni emër apo para?

5. Merrni parasysh mallrat e konsumit të gjerë

Me një ekonomi botërore gjithnjë e ne rritje, edhe kërkesa për mallrat e konsumit të gjerë si vaji, pambuku e misri, do të vijë në rritje. Investuesit e vegjël mund të përfshihen në kërkesën globale në rritje të këtyre mallrave duke shkëmbyer fonde që do përfshijnë këto mallra. “India dhe Kina do të jenë kombe që do konsumojnë,” thotë Tiku. Ai flet për projekte masive në infrastrukturë në vendet në zhvillim dhe për përhapjen e tendencës për t’u pasuruar nga njerëz që kanë vuajtur gjatë në varfëri. ”Gjithçka flet për një rritje marramendëse,” thotë ai. E gjitha kjo lidhet me planet afatgjata. Çmimet e mallrave të konsumit mund të jenë të paqëndrueshme në planin afatshkurtër për shkak të kushteve të paparashikueshme atmosferike, luhatjeve të rritjes së tregtisë dhe shkëmbimeve. Investuesit në planin afatgjatë duhet të tregohen të duruar në kapërcimin e vështirësive.

6. Studioje tregun

Sa më shumë të rrezikosh, aq më shumë punë do të kesh. Pasi të jesh menduar mirë do të zbulosh më tepër mundësi për të shtuar rrezikun dhe gjithashtu edhe fitimin në kapitalin tuaj. Këshilla e bosit të çelikut, Andrew Carnegie, ishte se s’ka problem nëse i fut të gjitha vezët në një shportë për aq kohë sa e ruan shportën me mjaft kujdes. Kur mund ta ruash shportën vetë është mjaft mirë, po kur nuk mundesh? Në këtë rast Phillips u sugjeron këtyre investuesve të gjejnë menaxherë parash të cilët mund të studiojnë tregun e të zgjedhin investimet.

7. Investoni me kujdes

Edhe një gjë tjetër: nëse në kapitalin tuaj nuk keni pasuri të tilla si blerje me leverdi, fitime nga tregjet e reja ose mallrat e konsumit, t’ia shtosh këto kapitalit tënd në mënyrë të matur mund të zvogëlojë rrezikun e të rrisë fitimin falë mrekullisë së shumëllojshmërisë. Po japim një shembull: Le të themi se pjesa më e madhe e parave tuaja janë ne Bonot e Thesarit, që është një investim mjaft konservativ. I vetmi rrezik real në këtë rast është mundësia që inflacioni ose një rënie në vlerën e monedhës (ngjarje që ndodhin njëra pas tjetrës) do të prishte vlerën e fitimit nga bonot. Le të mendojmë sikur kemi marrë 15% të këtyre parave dhe kemi blerë aksione në një sërë kompanish në rritje në Evropë ose Azi. Atëherë a është rritur apo ka rënë rreziku në total? Shumë profesionistë ne fushën e investimeve do të thoshin se ka rënë, ndërsa fitimi i mundshëm është rritur.

8. Kapni fitimet nga punëdhënësi juaj

Nëse ju e keni një punë dhe i përkushtoheni plotësisht asaj, atëherë një pjesë të fitimeve tuaja, të paktën 6 për qind investojini për kualifikimin tuaj. Sidomos në rastet kur ju merrni shpërblime nga punëdhënësi juaj, duhet t’i investoni ato në diçka pozitive. Nëse nuk ju pëlqen të investoni për kualifikimin tuaj në punë, atëherë kontribuoni në një aspekt tjetër, sepse në këtë mënyrë të ardhurat tuaja do të investohen në diçka që do vlejë për ju në të ardhmen.

9. Grumbulloni të ardhurat

Nëse ju do të doni t’i shpëtoni taksave dhe detyrimeve bankare, atëherë grumbulloni të ardhurat tuaja, në kushtet e shtëpisë. Në këtë mënyrë nëse ju doni lek kesh, në dorë, atëherë do ta keni shumë të lehtë për t’i marrë sa herë ju nevojiten. Nëse ju i kurseni të ardhurat tuaja, atëherë do të jetë një ndjesi pozitive që do ta kuptoni me kalimin e viteve. Por nëse ju nuk doni që të keni lekë kesh, por do të doni t’i depozitoni ato, atëherë drejtohuni nëpër banka me interesa të leverdishme.

10. Krijoni një llogari me interesa të leverdishme

Zgjidhja më e zgjuar në ditët e sotme është për të hapur një llogari me interesa të leverdishme për të ardhurat tuaja familjare. Në këtë mënyrë ju do të mund të tërhiqni interesat në rast nevojë, dhe të mos dëmtoni depozitat tuaja. Në varësi të depozitave tuaja ju mund të fitoni dhe normat e interesit, çka do t’ju nxisë të rrisni depozitat tuaja. Depozitojini të ardhurat tuaja në një bankë më interesa të leverdishme, dhe të jini të sigurt se në këtë mënyrë do të keni gjithmonë në kontroll pasurinë tuaj bankare.

11. Si të pasuroheni me bizneset e reja

Zakonisht duhen muaj apo edhe më shumë se një vit për të pasur fitim. Kurse sa më shumë para që të mundesh para se të fillosh. Gjithmonë e më shpesh bizneset e reja po hapen gati pa asnjë lek të kursyer, duke marrë hua në bankë apo tek të njohurit. Kur hap një biznes të ri optimizmi është i lartë dhe mendohet se borxhet do të paguhen me të ardhurat nga biznesi. Por, zakonisht duhen muaj apo edhe më shumë se një vit për të pasur fitim. Kështu që shpejt mund të fillojnë problemet, sidomos në rastin e një huaje bankare ku duhet të shlyesh këstet periodike. Këshilla e ekspertëve është që të kurseni sa më shumë para, që të keni mundësi përpara se ti hyni një biznesi. Mundësisht të gjitha shpenzimet për një vit, pasi ka shumë mundësi që të mos nxirrni ndonjë fitim të madh për vitin e parë. Edhe nëse do të keni të ardhura, përsëri do ju duhen për shpenzimet shtesë për të rritur kapacitetin apo detyrime dhe shpenzime të paparashikuara.

12. Bëji llogaritë mirë

Mendo edhe detajet. Mos merr me qira ambiente që nuk të nevojiten dhe mos punëso askënd të cilin nuk ke mundësi që ti japësh punë gjatë të gjithë orarit që do e paguash. Të marrësh punonjës me kohë të pjesshme nuk është ide e keqe. Nëse mban shpenzimet në nivele të ulëta, atëherë gabimet që mund të bësh nuk do të kenë pasoja të pakthyeshme.

13. Mbro pasurinë personale

Kur hyn në biznes zakonisht mban vetë përgjegjësi për të gjitha detyrimet që mund të lindin, siç mund të jenë taksat, kredia, qiraja, detyrimet për furnitorët dhe gjobat e mundshme. Për të paguar këto detyrime mund të humbësh edhe asetet personale, si makinën apo shtëpinë. Por për ti shpëtuar rrezikut të humbjes së makinës apo shtëpisë është më e mira të krijoni një firmë me përgjegjësi të kufizuar.

14. Kupto si dhe kur do të arrish fitim

Duhet të shprehësh në disa fjali se si planifikon të nxjerrësh fitim. Duhet të llogarisni kostot, inventarët që ju duhen, pagesat për qiranë, pagat e punonjësve dhe një listë me kosto të tjera shtesë. Pasi të keni bërë llogaritë e shpenzimeve, mund të gjykoni se sa duhet të shisni në muaj dhe me çfarë çmimi për të mbuluar shpenzimet dhe për të pasur fitim.

15. Shkruani një plan biznesi, s’ka rëndësi sesa të shkurtër

Llogaritja e kostove dhe të ardhurave të parashikuara, është hapi i parë në një plan biznesi. Krijimi i një plani biznesi ju mundëson të përcaktoni se cilat do të jenë kostot e duhura dhe cilat janë strategjitë tuaja të marketingut (pra, si do të arrini të shisni tek klientët). Nëse nuk arrini t’i shkruani dot në letër planet tuaja, do ta keni edhe më të vështirë akoma që t’i ktheni në realitet.

16. Kini kujdes konkurrencën dhe jini vetë konkurrentë të ashpër

Të jesh konkurrent është pjesa më e rëndësishme në biznes. Për këtë duhet të njohësh konkurrentët e tu, të bësh një produkt që është e vështirë ose e pamundur të imitohet, të prodhosh dhe shpërndash produktin në mënyrë më eficiente, të gjesh një vendndodhje më të mirë ose të ofrosh një shërbim superior ndaj klientëve. Një tjetër gjë e rëndësishme është të reagosh shumë shpejt ndaj informacioneve të marra. Sapo të kuptosh se biznesi juaj përballet me ndonjë problem, duhet të bëni një plan për ta zgjidhur menjëherë.

17. Bëjini të gjitha marrëveshjet me shkrim

Kontratat dhe marrëveshjet e tjera është shumë e rëndësishme të bëhen me shkrim dhe sipas ligjit. Kjo pasi marrëveshjet gojore apo më keq akoma, në telefon, është ë vështirë, për të mos thënë e pamundur që të provohen. Po ashtu është shumë e rëndësishme që të ruani të gjitha faturat, pavarësisht në çfarë shume janë, apo sa i zënë me punë do të jeni.

18. Punësoni dhe mbani në punë njerëz të mirë

Qëllimi juaj duhet të jetë të punësoni dhe mbani në punë punonjës të shkëlqyer dhe jo thjesht që të bëjnë punën e caktuar. Një punonjës konkurrues dhe entuziast punon sa për dy dhe ndonjëherë edhe tre persona. Për këtë është shumë e rëndësishme që punonjësit të besojnë se po trajtohen në mënyrë të drejtë dhe se biznesi juaj ka një të ardhme të sigurt.

19. Tregoni kujdes për statusin ligjor të punonjësve

Bëj kujdes të regjistrosh në shtet punonjësit dhe të paguash sigurimet. Kështu që punonjësi do të punojë më i kënaqur dhe nuk do të ketë nevojë të lëvizë në një tjetër vend. Nëse bëni edhe një kontratë do të jetë shumë e vështirë për konkurrencën që ta largojë nga ju. Po ashtu edhe detyrat dhe kushtet e punës duhet të jenë të përcaktuara qartë dhe të pranuara nga të dyja palët.

20. Paguaj faturat dhe taksat në kohë

Në biznes reputacioni është një aset shumë i rëndësishëm dhe për ta ruajtur reputacionin është një strategji shumë e mirë që të paguani faturat në kohë, ose edhe më herët nëse mundeni. Kështu fitoni besim tek klientët, furnitorët dhe bankat.

21. Pasuroni llogarinë tuaj

Edhe nëse jeni të rinj dhe nuk keni të ardhura të larta, fakti që ju mblidhni të ardhurat tuaj tregon se sa të ekonomizuar jeni ju. Depozitimi i të ardhurave në një masë të caktuar do t’iu krijonte mundësinë për të qenë të pavarur ekonomikisht në vitet e ardhshëm. Me kualifikimin tuaj, apo me punësimin e qëndrueshëm, ju do të mundni të rrisni depozitat tuaja, duke rritur shumën e derdhur në llogarinë tuaj. Sigurisht që dëshira për të shpenzuar është e madhe, por fakti se fitimet tuaja janë të mbyllura në një llogari bankare, ju pengon që ju t’i harxhoni jo në mënyrën e duhur.

22. Shqyrtoni koston e kolegjit

Të fshihni të gjitha të ardhurat tuaja në një llogari bankare do të krijonte mundësinë që një ditë fëmijët tuaj të mund të studionin në shkollat më të mira. Nëse çdo prind do të mund të kursente të ardhurat e duhura për shkollimin e fëmijëve të vet çdo vit, atëherë edhe ata një ditë do t’u kthenin ato. Nëse të ardhurat depozitohen për shkollimin e fëmijëve atëherë ato nuk taksohen gjatë tërheqjes së depozitës. Një familje e mirë dhe me planifikim di si të organizojë të ardhurat e saj dhe t’i investojë ato në mënyrën e duhur.

23. Këmbeni valutën, nëse duhet

Jo të gjitha format e parave kanë të interesa të larta apo më saktë norma të njëjta interesi. Atëherë nuk do të ishte aspak keq nëse do të kthenit të ardhurat tuaja në valutën më të leverdishme. Nëse do të depozitoni të ardhurat tuaja për disa vite, dhe në varësi të zhvillimit ekonomik të vendit, atëherë nuk do të ishte aspak çudi sesi një ditë ju të lumturoheni për zgjidhjen që keni bërë. Do të mjaftonte vetëm tërheqja e interesave në afatin e duhur për të mos cenuar depozitat tuaja, qoftë edhe nëse i keni këmbyer ato në një valutë të caktuar, e cila dominon tregun.

24. Hapni një llogari të ardhurash për shëndetin

Të hapësh një llogari për ruajtjen e të ardhurave për shëndetin tuaj dhe familjes suaj, do të ishte veprimi më i zgjuar dhe më pozitiv. Askush nuk e di se si do vijë e ardhmja dhe duhet të parashikoni gjithçka në një farë mënyre, dhe të jeni të përgatitur për të përballuar problemet dhe situatat e vështira në të cilat mund të ndodhemi. Sigurimi i jetës dhe i familjes suaj është gjithmonë një veprim i nevojshëm. Të kesh një punë të mirë, të ardhura që përballojnë shpenzimet, në një farë mënyrë duhet të krijosh edhe një llogari depozite, sado e dobët të jetë ajo në fillesa.

Si të fitoni punën që ju bën më të pasur

Shpeshherë, mënyra e paraqitjes së dokumenteve apo CV-së ndikon mjaft në prezantimin e parë me punëdhënësin.

25. Si të afroheni te një kompani në të cilën doni të punoni, por nuk ka nxjerrë njoftim për punë?

Mënyra më e mirë është që të krijoni njohje me punonjës të rëndësishëm të kësaj kompanie dhe të paraqisni interes të vazhdueshëm dhe të bini në sy në njohjet që krijoni se jeni mjaft i interesuar për të punuar aty. Mos hezitoni të takoni edhe shefin apo menaxherin e burimeve njerëzore. Mund t’i dërgoni dhe një letër interesi ku t’i tregoni personit të duhur se ju jeni i interesuar për të punuar. Por mos u bëni i bezdisshëm!

26. Çfarë të bëjmë që CV-ja jonë të bjerë në sy?

Në radhë të parë, ju duhet që të siguroheni që CV-ja juaj të jetë e lehtë për t’u lexuar dhe të duket e këndshme. Tregohuni të kujdesshëm, pasi shpesh CV-të janë jo fort të kuptueshme. Ato mjaft herë kanë mangësi në informacion ose duken shumë të pabesueshme. Ju mund të përdorni edhe ngjyra ose lloje shkrimi të veçanta. Por mbani parasysh se punëdhënësit janë më shumë të interesuar për përmbajtjen. Por gjëja më e rëndësishme është që në CV të shihen qartë arritjet tuaja dhe aftësitë që ju bëjnë më të përshtatshmin për vendin e punës që ju kërkoni. Mos e dërgoni kurrë Cv-në në anglisht apo në gjuhë të tjera të huaja. Kjo do të krijojë bezdi dhe mendimin se ju keni nënvlerësim për kompanitë shqiptare dhe se paraqiteni atje nga halli.

27. Cilat janë gabimet kryesore që bëhen kur shkruhet një CV?

Gabimi më i shpeshtë që bëhet në shkrimin e një CV-je është thjesht shkrimi i një liste të punëve të bëra më parë. Fatkeqësisht, kjo metodë e shkrimit të CV-ve është e shpeshtë në Shqipëri. Por përvoja e vendeve të përparuara tregon se nuk është i rëndësishëm vetëm fakti i pasjes së një përvoje pune pranë një kompanie të caktuar. CV-ja duhet të tregojë arritjet që ju keni pasur gjatë punës në vende të ndryshme. Thjesht fakti se ju keni punuar diku në një kompani dhe keni pasur një detyrë të caktuar nuk do të thotë se jeni i kualifikuar për punën e re. Menaxherët dhe administratoret që merren me aplikimin dhe intervistat e punës duhet të kërkojnë arritjet dhe rezultatet e kandidatit pikërisht në punët e mëparshme dhe të mos konsiderojnë thjesht punët. Shpesh në Cv shkruhen gjëra shumë të përgjithshme si p.sh shprehja “njohuri të mira në kompjuter” nuk mjafton apo njohje e programeve bazë të kompjuterit. Ju duhet të thoni programet që dini të përdorni ose aftësitë e menaxhimit të rrjeteve, mirëmbajtën e kompjuterëve, njohuritë më të spikatura dhe ato që nuk i keni.

28. Si të krijomë një rrjet njerëzish që të na ndihmojë në çështjet e punësimit?

Ju duhet të përdorni çdo mënyrë të mundshme. Për këtë mund t’ju ndihmojnë miqtë, familjarët, kushërinjtë, ortakët e biznesit, ish-shokët e klasës etj. Gjithashtu ju duhet të shfrytëzoni çdo situatë që të takoni njerëz të rinj e të bini në sy. Raste të tilla mund të jenë trajnime, punë me kohë të pjesshme, punë vullnetare, pjesëmarrje në organizata jofitimprurëse etj. Kur ju krijohen mundësi të tilla ju duhet t’i shfrytëzoni në maksimum. Prezantoni veten tuaj, lërini t’i kuptoni personit tjetër se çfarë po kërkoni dhe pyeteni nëse mund të takoheni më vonë për të diskutuar për çështje të ndryshme përfshi punësimin tuaj.

29. Kush janë të mirat e të këqijat e punës me kohë të pjesshme, kur jeni në kërkim të një pune me kohë të plotë?

Punët me kohë të pjesshme ju ndihmojnë që të zbusni problemet financiare gjatë kohës që ju kërkoni punë. Gjithashtu ju mund të krijoni njohje, por edhe të zhvilloni zotësitë tuaja, duke fituar përvojë pune. Në qoftë se ju jeni me të vërtetë të mirët, atëherë puna juaj me kohë të pjesshme mund të shndërrohet në një trampolinë për t’u punësuar me kohë të plotë. E vetmja e me të është se puna me kohë të pjesshme ju merr kohë gjatë kërkimit të punës.

30. Si të sillemi në një intervistë pune?

Gjithmonë mendoni si personi që po ju bën intervistën. Mbani parasysh qëllimet që ka ky person për marrjen tuaj në punë. Ju duhet të tregoni që keni aftësitë e duhura dhe motivimin për të punuar në atë detyre. Ju duhet të flisni edhe për përvojat tuaja të kaluara, aftësitë etj.

31. Sa të sinqertë duhet të jemi gjatë një interviste pune?

Sa më të sinqertë që të mundemi. Por me kujdes që të mos jepni informacion që është kundër jush. Kjo varet edhe nga tipi i pyetjeve që ju bëhen. Në vendin tonë, përgjithësisht, intervistuesit për punë nuk janë shumë zhbirues. Por kjo mund të jetë edhe në dëmin tuaj, pasi nuk dalin në pah të gjitha elementet pro jush që duhen për të fituar vendin e punës që dëshironi. Në qoftë se punëmarrësit janë të huaj, kujdesi duhet të jetë më i madh. Duhet pasur kujdes që të mos zbulohen gjëra të pavërteta. Kjo do t’ju bëjë të dukeni mashtrues edhe nëse thoni të vërtetën.

32. Si t’ia bëjmë kur na thonë “je tepër i kualifikuar për këtë punë”?

Kur një punëmarrës ju thotë që jeni tepër i kualifikuar, shqetësimi i tyre është nëse me të vërtetë jeni i interesuar për atë vend pune. Një tjetër arsye është për të provuar motivimin tuaj për atë detyrë, megjithëse paga e privilegjet do të jenë më të ulëta se ato që përshtaten me kualifikimet tuaja në tregun e punës. Në vend që të, diskutoni për këtë çështje ju duhet të tregoni se shqetësimet e personit nuk qëndrojnë. Punëdhënësit tuaj të ardhshëm duhet t’i tregoni se ju jeni me të vërtetë të motivuar dhe se pagesa nuk është gjëja më rëndësishme. Ju duhet të tregoni edhe se duke ju marrë ju në punë, kompanisë i rritet vlera e saj. Kjo pasi rritet një nga asetet më të rëndësishme të një kompanie; cilësia e burimeve njerëzore.

Konceptet e zhvillimit të biznesit

Më poshtë jepen disa këshilla të ekspertëve të biznesit dhe ekonomisë që ju shërbejnë për krijimin dhe zgjerimin e një biznesi të vogël. Ai ju siguron një informacion të paçmueshëm për krijimin e mundësive dhe ju mëson se si të analizoni ambientin tuaj të biznesit për ta bërë atë të punojë në favorin tuaj.

33. Blini një biznes ekzistues

Blini një franshizë (lejë e posaçme, marrëveshje ndërmjet prodhuesit dhe një palë tjetër që i jepet e drejta e posaçme për të tregtuar mallrat apo shërbimet në fjalë me të njëjtin emër marke dhe në një territor të caktuar kundrejt një pagese). Përdorni franshizën për biznesin tuaj, identifikoni mundësitë e biznesit tuaj aktual dhe identifikoni qëllimin kryesor të biznesit tuaj.

34. Përfitoni nga tregu

Bëni që ndryshimet e tregut të punojnë në avantazhin tuaj duke mësuar se si t’i paraprini tendencave, të njihni mundësitë e rezultateve të biznesit dhe të krijoni mallrat dhe shërbimet më premtuese. Zbuloni strategji dhe ide për t’i përshtatur veprimet tuaja në mënyrë që biznesi juaj të përfitojë nga mundësitë ose sfidat që mund të shfaqen. Përfitoni nga lëvizja e tregut, kapitalizohuni në një tendencë në rritje, përfitoni nga modat e reja, mbuloni hapësirat ose mungesat e tregut; imitoni një produkt ose një ide të suksesshme; gjeni një produkt të mirë që ka dështuar; transformoni një koncept nga një industri në tjetrën, shpikni një prodhim ose shërbim të ri, krijoni një kërkesë treg, etj.

35. Ide të reja për prodhimin dhe montimin

Ky seksion ju siguron ide dhe burime të shumta për të vendosur mbi një produkt të përshtatshëm për ta prodhuar siç është, ose për të përmirësuar, ricikluar, përtëritur ose imituar. Ai gjithashtu tregon si ta paketojmë sa më mirë një produkt apo të paketojë atë me të tjerë për të qenë sa më komode dhe e leverdishme për konsumatorin, dhe si të sigurohemi që po tregtohet mirë në mënyrë që të ketë konkurrencë dhe të shitet.

36. Lokalizoni një mundësi patente

Prodhoni dhe tregtoni sipas licencës, përmirësoni një prodhim ose shërbim ekzistues, monto një produkt, ricikloni një produkt ekzistues, bëhuni një furnizues, zëvendësoni importet, etj. Merrni parasysh tregjet e mbetura dhe synoni një pjesë të vogël nga një treg i gjerë, shtoni vlerën produktivë ekzistuese dhe zëvendësoni materialët në prodhimet ekzistuese. Gjeni përdorim për materialët e mbetura dhe kombinoni përbërësit, më pas paketoni ose ç’paketoni produktet ekzistuese.

37. Bëhuni agjent ose distributor

Si një alternativë të një produkti të prodhuar nga ju, keni dhe opsionin e përqendrimit në blerje, shitje dhe tregtim të diçkaje tjetër. Lexoni disa këshilla të dobishme se si të përfshiheni në blerjen e shërbimeve dhe produkteve dhe më pas në shitjen e tyre për përfitim nganjëherë duke përfshirë shpërndarjen në import dhe eksport ose në shitjen e mallrave dhe shërbimeve për llogari të prodhuesit ose distributorit kundrejt një komisioni ose tarife. Bëhuni agjent distributor (shpërndarës) dhe tregtoni produktin e dikujt tjetër.

Disa mënyra për të përmirësuar mirëqenien tuaj

38. Mësoni një gjuhë të huaj.

Ka shumë arsye për të mësuar një gjuhë të huaj, për udhëtime jashtë vendit, punë apo thjesht për ta sfiduar veten. Bashkëpunimi me të huajt në një biznes mund të ishte shumë efikas dhe me më shumë fitin nëse do të ishte i drejtpërdrejtë. Gjuhët e huaja janë plus për ju.

39. Lexoni libra që ju nxisin drejt ekonomisë

Kjo është një mënyrë e mirë për të zhvilluar pikëpamjet ndaj botës së biznesit. Nuk mund të jetë pa efekte pozitive libri i miliarderit Donald Tramp “Si të bëhesh milioner”. Natyrisht libra të kësaj natyre dhe këshilla të ekspertëve do të ishin të dobishme për të përmirësuar financat tuaja.

40. Zgjohuni herët.

Nëse çoheni herët do të jeni më energjikë dhe më të freskët për të punuar apo sjelle ide të reja. Në fushën e biznesit padyshim që prurjet e reja janë pozitive. Çdo punë ka një kohë të caktuar në dispozicion dhe për këtë duhet të jeni të përpikt ëdhe korrektë me punën. Përdoreni këtë kohë për të ecur apo për të lexuar libra frymëzues, rishqyrtoni qëllimet tuaj dhe krijoni një vizion për jetën që doni.

41. Filloni një buxhet

Një buxhet është një plan që llogarit të ardhurat kundrejt shpenzimeve, kursimeve, investimeve dhe borxheve. Ato nuk kanë pse të jenë të ashpra dhe të komplikuara. Nëse e shihni që një investim i juaji nuk po jep rezultatet e duhura, atëherë tentoni të bëni një rebalancim dhe analizë të situatës. Mbase do t’ju vijë një ide e re, për të investuar në një fushë me më tepër fitim.

42. Rregulloni jetën tuaj

Është e lehtë të pushtoheni nga parregullsia, mendore dhe fizike. Rregulloni ambientin tuaj fizik duke pastruar veshjet apo sendet e tjera që tashmë nuk ju duhen. Shitini apo falini. Rrëmuja mendore ka të bëjë me projektet e papërfunduara, programi i ngjeshur apo njerëzit negativë që ju thajnë energjinë. Mund ta pastroni mendjen duke listuar gjithçka që ju turbullon dhe duke menduar mënyra për t’i braktisur.

43. Studioni

Studimi formal dhe informal ka me mijëra përfitime. Disa prej tyre janë: nxitja e perspektivave në karrierë, zhvillimi i aftësive dhe njohuria në subjekte të ndryshme, rritja dhe kënaqësia personale. Studimet në fushën e menaxhimit dhe financave padyshim që do forcojnë tek ju idenë e të qenit i kujdesshëm dhe të arrini me sukses synimet e caktuara në fushën e biznesit apo aktivitetit tuaj.

44. Nisni një biznes

Nëse një ditë doni të bëheni një milioner, mund të merrni parasysh si të vetëpunësoheni. Kjo do të vinte pas një analize të detajuar jo vetëm të kushteve ekonomike në të cilat ju do të operoni, por edhe pasi të keni analizuar edhe ndryshimet e ekonomisë, bursës, etj. Padyshim që rezultatet pozitive do të vijnë më shpejt nëse ju do të kërkoni ndihmën e një eksperti të fushës së ekonomisë, e veçanërisht biznesit.

45. Realizoni qëllimet

Shkruajini qëllimet që keni në të ardhmen e afërt, mesatare dhe të largët. Akti i shkruajtjes së synimeve i bën ato më të lehta për t’u realizuar. Kjo do të krijonte tek ju idenë e një synimi tek i cili duhet të ngulmoni vazhdimisht, për të arritur qëllimin e dëshiruar. Dhe kjo për të përmirësuar financat, për t’i dhënë fuqi dhe mundësi zhvillimi biznesit tuaj dhe si rezultat rritjen e mirëqenies.

46. Jini krijues në biznes

Të gjithë posedojmë potencialin për shprehje krijuese. Të sjellësh ide dhe prurje të reja në botën e biznesit është gjithmonë pozitive. Nëse biznesi që ju drejtoni do të kishte një specifikë interesante për klientët, atëherë rezultatet do të ishin më të larta. Pjesa më e madhe prej nesh besojnë se jemi krijues, por nuk dimë si ta shprehim krijimtarinë. Nuk kemi pse të pikturojmë një pikturë për të qenë krijues, por kjo tregohet edhe në rutinën e përditshme, për shembull ndërsa gatuajmë, bëjmë një prezantim në punë apo vishemi në një mënyrë krijuese.

47. Kërkoni për një rritje rroge

Nëse puna juaj nuk ju stimulon atëherë ajo do të bëhej e mërzitshme për ju dhe si rrjedhim burim stresi. Shumë njerëz ndjejnë se paguhen më pak se ajo që bëjnë. Por a kanë kërkuar ata ndonjëherë ndonjë rritje në rrogë? Nëse edhe ju përfshiheni në këtë kategori, sigurohuni që ta kërkoni në mënyrën e duhur. Sa më shumë të kërkosh, aq më i lartë do të jetë rezultati i arritur.

48. Investoni paratë tuaja

Investimi i parave është mënyra më e mirë për të përmbushur objektivat afatgjata financiare. Është shumë e lehtë të filloni të investoni, mund të filloni edhe me pak. Nëse do të investonit në rastin e duhur dhe momentin e përshtatshëm, kjo do të sillte një mirëpozicionim të biznesit tuaj në tregun e përgjithshëm. Të investosh drejt është një mënyrë e saktë për të investuar paratë në mënyrën më efikase dhe me ardhmëri të sigurt.

49. Rishqyrtoni ditën para se të flini

Jo çdo ditë, çdo pune e bërë apo çdo kontratë e nënshkruar do të ishte gjëja më e drejtë që keni bërë. Diku mund të keni gabuar dhe kjo është njerëzore. E rëndësishme është të kuptoni gabimet dhe të manovroni në mënyrën e duhur për t’i bërë ato të ndikojnë pozitivisht në biznesin tuaj, edhe duke i korrigjuar. Kjo do të jetë një mënyrë e mirë për të kuptuar nëse po e jetoni jetën në përputhje me qëllimet dhe parimet. Ky zakon është këshilluar më shumë nga Benjamin Franklin.

50. Siguroni të ardhura pasive

Të ardhurat që siguroni nga puna juaj mund të jenë të nevojshme për të mbuluar shpenzime të ndryshme të jetës së përditshme dhe shpesh herë mund të dëgjojmë ankesa për mangësira. Por përpiquni të siguroni një burim pasiv të ardhurash. Një pronë të lënë me qira. Të ardhurat pasive janë të ardhurat që nuk kërkojnë përfshirjen tuaj. Shembuj familjarë janë qiraja që vjen nga një pronë private apo nga një shpikje apo punë krijuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme