Beteja mes pushtetit dhe opozitës në Poloni paralizon Gjykatën Kushtetuese

Prishtinë | 03 Nën 2026 | 09:40 | Nga Ekonomia Online

Përplasja për pushtet mes qeverisë dhe opozitës ka paralizuar Gjykatën Kushtetuese. Gjyqtarët e zgjedhur nga koalicioni i Tuskut po përpiqen të marrin drejtimin e gjykatës. E djathta polake flet për “grusht shteti”.

Gjykata Kushtetuese e Polonisë, “Trybunał Konstytucyjny”, është shndërruar në epiqendrën e një beteje të ashpër për pushtet mes qeverisë proevropiane të qendrës së majtë të kryeministrit Donald Tusk dhe opozitës konservatore të djathtë, e cila mbështetet nga presidenti Karol Nawrocki. Me një manovër juridike, të premten (30.10.2026), gjyqtarët e zgjedhur nga koalicioni i Tuskut morën drejtimin e Gjykatës Kushtetuese.

Megjithatë, fundi i krizës, e cila e ka bërë praktikisht të paaftë për të funksionuar gjykatën më të rëndësishme të Polonisë, duket më larg se kurrë. Rreth 1000 çështje të pazgjidhura janë grumbulluar tashmë në sirtarët e Gjykatës. Për disa mosmarrëveshje pritet prej më shumë se dhjetë vjetësh një vendim. Këtë vit, gjyqtarët kushtetues nuk kanë arritur madje të hartojnë as buxhetin e tyre për vitin 2027. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian konstatoi që në vitin 2025 se Gjykata Kushtetuese polake “nuk ishte as e pavarur dhe as e paanshme”.

Gjyqtarët “e vjetër” kundër atyre “të rinj”

Në Gjykatën Kushtetuese me 15 anëtarë, sot përballen në mënyrë armiqësore gjyqtarët “e vjetër” dhe ata “të rinj”. Shtatë prej tyre vijnë ende nga koha kur qeveriste partia konservatore e djathtë Ligj dhe Drejtësi, PiS (2015-2023); tetë të tjerë u zgjodhën nga parlamenti pas kalimit të pushtetit te qeveria e qendrës së majtë në dhjetor 2023.

Por Bogdan Swieczkowski, president i Gjykatës Kushtetuese dhe ish-politikan i PiS-it, refuzon të lejojë pesë prej gjyqtarëve të rinj të ushtrojnë detyrën në Gjykatë. Argumenti i tij është se ata nuk e kanë bërë betimin para presidentit Nawrocki, por vetëm para kryetarit të parlamentit.

Për muaj të tërë, pesë gjyqtarët e rinj mbetën në pritje në ambientet e Gjykatës, pa detyra dhe pa pagesë. Të premten në mbrëmje ata kaluan në ofensivë: gjyqtarja “e re” me vjetërsinë më të madhe, Anna Korwin-Piotrowska, e shpalli veten drejtuese të Gjykatës dhe urdhëroi “me efekt të menjëhershëm” pezullimin për një muaj nga detyra të Swieczkowskit dhe zëvendësit të tij, Bartlomiej Sochanski. Të dyve iu ndalua gjithashtu hyrja në godinën e Gjykatës.

Presidenti i shkarkuar i Gjykatës kundërshton

Por Swieczkowski nuk e pranon pezullimin dhe këmbëngul se vazhdon të jetë president i Gjykatës Kushtetuese. Me mbështetjen e simpatizantëve të PiS-it, të cilët prej javësh qëndrojnë në kamp para selisë së Gjykatës Kushtetuese, ai u përpoq të kalonte gardhin e ndërtesës, por u pengua nga forca të shumta policore.

Politikanë të shumtë nga e djathta konservatore deri te e djathta ekstreme, mes tyre edhe kreu i PiS-it Jaroslaw Kaczynski, u shfaqën në vendngjarje dhe e shfrytëzuan situatën për dalje politike. “Rrëzojeni Tuskun”, brohoritën protestuesit.

“Që nga sot Polonia po bëhet një shtet policor”, shkroi Kaczynski në X, duke paralajmëruar se rruga e ndjekur nga qeveria çon “drejtpërdrejt në autoritarizëm dhe totalitarizëm”.

Zhvillimet detyruan presidentin Nawrocki të ndërhynte. Kreu i shtetit ndërpreu fluturimin e tij drejt Afrikës dhe u kthye në Varshavë.

“Gjatë kësaj nate u shkel rendi kushtetues i Polonisë dhe një organ shtetëror u mor me forcë”, deklaroi Pawel Szefernaker nga zyra e presidentit.

“Po përballemi me një krizë shumë të rëndë kushtetuese në Poloni. Ajo është pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të paligjshme dhe të dhunshme të qeverisë Tusk”, tha për Deutsche Welle në Varshavë këshilltari i presidentit për politikën e jashtme, sekretari i shtetit Marcin Przydacz.

“Presidenti është i detyruar të reagojë sa herë që shkelet Kushtetuta polake dhe legjislacioni”, theksoi Przydacz.

“Ky është një grusht shteti”, deklaroi më tej nënkryetari i PiS-it, Tobiasz Bochenski. Në një intervistë për TVN të hënën, ai e krahasoi situatën me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake nga gjenerali Wojciech Jaruzelski në dhjetor 1981.

Kur Nawrocki hyri në ndërtesën e Gjykatës, ndodhi një incident që palët e interpretojnë në mënyra të ndryshme. Korwin-Piotrowska, e cila së bashku me gjyqtarë të tjerë kishte dashur ta përshëndeste kreun e shtetit para hyrjes, i tha televizionit TVN se Nawrocki ishte përplasur me të dhe ishte përpjekur të kalonte me forcë pranë saj. Pamjet filmike tregojnë presidentin duke i shtyrë gjyqtarët mënjanë.

Ndërsa zëdhënësi i Nawrockit, Rafal Leskiewicz, akuzoi Korwin-Piotrowskan dhe gjyqtarë të tjerë se kishin cenuar integritetin fizik të kreut të shtetit. Ai paralajmëroi ngritjen e një kallëzimi penal. Edhe Przydacz tha për DW-në se Nawrocki ishte “sulmuar fizikisht dhe ishte penguar”. Sipas tij, çështja duhet t’i kalojë prokurorisë.

Kryeministri Tusk u del në krah gjyqtarëve

Kryeministri Donald Tusk u rreshtua të shtunën në mbrëmje në krah të gjyqtarëve dhe mbrojti ndërhyrjen e policisë për mbrojtjen e Gjykatës.

“Shteti demokratik duhet të jetë i fortë”, tha ai në një fjalim televiziv.

“Sulmi ndaj Gjykatës dhe gjyqtarëve të saj është një tjetër kapitull në procesin e shkatërrimit të shtetit të së drejtës në Poloni nga PiS-i dhe presidentët Duda dhe Nawrocki”, vazhdoi Tusk.

Kryeministri theksoi se ishte i bindur se Gjykata Kushtetuese tani do të fillonte të funksiononte ashtu siç duhet. Qeveria do t’u garantonte gjyqtarëve sigurinë dhe kushtet e nevojshme të punës. Edhe ministri i Drejtësisë, Waldemar Zurek, u shpreh optimist. “Pas disa javësh do të zhvillohen procedurat e para dhe do të shqyrtohen çështjet e para në themel”, tha ai.

Anna Korwin-Piotrowska ka thirrur për këtë të martë (3.11.2026) një mbledhje plenare të gjyqtarëve kushtetues. Gjykata duhet të miratojë buxhetin e saj. Që mbledhja të ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, duhet të marrin pjesë dy të tretat e gjyqtarëve.

Gjyqtarët “e rinj” kishin shpresuar deri tani se do të arrinin të tërhiqnin në anën e tyre disa nga kolegët “e vjetër”. Megjithatë, pas ngjarjeve të së premtes, gjasat për këtë duken më të vogla se kurrë. Nëse nuk arrihet kuorumi, ngërçi do të vazhdojë.

Në qarqet juridike, veprimet e gjyqtarëve kushtetues janë objekt debatesh. Katër ish-presidentë të Gjykatës Kushtetuese u dolën në mbështetje gjyqtarëve që ndërmorën këto hapa. Sipas tyre, gjyqtarët e zgjedhur në mënyrë të ligjshme kishin marrë masat e nevojshme për të rikthyer në funksionim Gjykatën, e cila mbron të drejtat dhe liritë e qytetarëve.

Veprimet e presidentit Nawrocki përbëjnë një “shkelje të paprecedentë të autonomisë së Gjykatës”, deklaruan Marek Safjan, Jerzy Stepien, Bohdan Zdziennicki dhe Andrzej Zoll.

Ndryshe nga ata, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Poloni kritikoi masat ndaj presidentit të Gjykatës, Swieczkowski. Sipas Komitetit, baza ligjore e pezullimit është “e dyshimtë”. Organizata paralajmëroi për një “precedent të rrezikshëm”.

Nawrocki fton palët për konsultime: A është i mundur një “reset”?

Pas përshkallëzimit të situatës gjatë natës nga e premtja në të shtunë (30-31.10.2026), Nawrocki u përpoq të ulte tensionet. Ai ftoi përfaqësuesit e partive politike për bisedime.

Pas takimeve, kreu i partisë së majtë “Së Bashku” (Razem), Adrian Zandberg, foli për një “reset” si një zgjidhje të mundshme të krizës.

Sipas këtij koncepti, të gjithë gjyqtarët aktualë të Gjykatës Kushtetuese duhet të japin dorëheqjen. Anëtarët e rinj të Gjykatës më pas duhet të zgjidhen me një shumicë prej tri të pestash ose dy të tretash të parlamentit.

Por kjo do të kërkonte një kompromis mes koalicionit qeverisës dhe opozitës, gjë që duket pak e mundshme.

“Kriza e Gjykatës Kushtetuese komprometon të gjithë klasën politike në Poloni, pa përjashtim dhe pavarësisht shkallës së fajit”, shkruan të hënën kryeredaktori i gazetës së përditshme Rzeczpospolita, Pawel Kapusta.

“Ejani në vete”, apelon gazetari, duke propozuar një tryezë të rrumbullakët, në të cilën juristë të njohur të përpiqen të gjejnë një rrugëdalje nga kriza./DW/

Të ngjashme