Një 24-vjeçare nga Pakistani ka humbur jetën pasi ajo dhe familja e saj u mashtruan me premtimin për pranim në Universitetin e Harvardit në ShBA.
Laiba Ijaz, studente e dalluar e fizikës, dyshohet se i dha fund jetës më 9 tetor, pasi familja kishte paguar miliona rupi për një ndërmjetës që pretendonte se mund t’i siguronte pranimin në universitetin prestigjioz.
I dyshuari, Muhammad Noman, u arrestua dy ditë pas ngjarjes, por vdiq më 20 tetor, pasi u qëllua gjatë kohës që ndodhej në paraburgim policor.
Familja pretendon se dokumentet e pranimit, bursës dhe udhëtimit drejt SHBA-së ishin të falsifikuara. Ndërkohë, autoritetet pakistaneze kanë nisur hetimet për rastin, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes së 24-vjeçares mbetet objekt hetimi.
Rasti ka rikthyer vëmendjen te mashtrimet me studimet jashtë vendit dhe mungesa e kontrollit mbi agjencitë që premtojnë pranimin në universitete të huaja.