Futbolli i ka dhënë Mewal Tesfai Yosiefit shpresë në një vend autoritar, një punë në një shtet me shërbim ushtarak të detyruar dhe me gjasë, edhe lirinë më në fund.
Pasi shënoi dy gola për përfaqësuesen U-20 të Eritreas gjatë një turneu në Ugandë në fund të muajit të kaluar, Mewal iku me tre bashkëlojtarë. Por pasi aplikuan për azil ata janë duke u fshehur në Ugandë, me frikën se autoritetet në vendlindje janë duke i kërkuar ata, transmeton Koha Ditore.
“Mënyra e vetme për të mbijetuar është të ikësh nga Eritrea dhe ne të gjithë e dimë këtë”, ka thënë Mewal për “AP” në një intervistë nëpërmjet telefonit këtë javë. “Unë duhet të shfrytëzoja këtë rast, pasi po të mos e shfrytëzoja kush e di se sa gjatë do të vononte të vinte rasti tjetër”.
Qeveria e Eritreas nën drejtimin e presidentit Isaias Afwerki është një nga regjimet më të hekurta në botë, ku renditet në një nivel me Korenë e Veriut dhe Sirinë nga “Freedom House”. Ndalohen partitë opozitare në shtetin në lindje të Afrikës, ndërsa monitoruesit e të drejtave të njeriut thonë se një gjyqësor i pavarur është joekzistent, shkruan AP.
Sistemi i Eritreas për shërbim nacional pakufi dhe i rekrutimit ushtarak të detyruar, e ka për qëllim të mbajë popullatën nën kontroll, siç thotë “Humans Rights Watch”.
Pyetjet dërguar Federatës së Futbollit të Eritreas dhe qeverisë nuk kanë marrë përgjigje.
Katër eritreasit e rinj e kanë përshkruar jetën e tyre si futbollistë me gjysmë-orari dhe si ushtarak me gjysmën tjetër, ku u është kërkuar të ndërtojnë rrugë, të rruajnë ndërtesat dhe të ndjekin tekat ushtarake. Ndonëse kishin status të veçantë si futbollistë ata prapë arrestoheshin, si shembull për aktivitete më bazike, ecje në rrugë në grup.
“Nëse ka më tepër se dy veta që qëndrojnë bashkë në rrugë, menjëherë lind dyshimi se po organizohet diçka”, ka thënë futbollisti tjetër, Hermon Fessehaye Yohannes.
Të gjithë duhet të kenë leje në letër nga qeveria që u lejon kalimin nëpër rrugë, thotë ai.
Rrahja në mes të natës pasi doli në rrugë pa leje
Hermon e kujton se si një natë ishte ndaluar, ndërsa po ecte nga puna e tij për në shtëpi, që është afro 100 metra distancë. Letrat që lejonin ecjen e vonshme në rrugë, ishin në shtëpi dhe polici që e ndaloi refuzonte ta dëgjonte atë.
“Ai nisi të më rrihte me shkop”, ka thënë Hermon, duke treguar se e dërgoi edhe në burg. “Kjo është jeta jonë e përditshme atje, është mënyra se si jetojmë”.
Ishte e pamundur që të konfirmohet ky incident.