E kompletuar dhe me shumë motiv për fitore, përfaqësuesja e Kosovës të martën mbrëma zhvilloi seancën e dytë përgatitore për ndeshjen kundër Maltës, shkruan sot Koha Ditore.
Futbollistët e Kosovës po e ndiejnë presionin për fitore. Por kjo, siç thonë ata, nuk do të ndikojë në fushë. Ata premtojnë maksimumin për ta mposhtur Maltën, në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kombeve të UEFA-s – Liga D, Grupi C.
Ndeshja do të zhvillohet të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë dhe ai do të jetë plot. Biletat janë shitur për pak orë.
Pas dy ndeshjeve, Kosova kryeson Grupin 3 me katër pikë. E para pret të jetë edhe pas ndeshjes me Maltën.
Futbollisti i Lazios, Valon Berisha, është i gëzuar që pas gati një viti është grumbulluar me Kosovën. Mesfushori i mungoi Kosovës për një kohë të gjatë për shkak të lëndimeve.