Në kohën kur futbolli në Kosovë është dukur se po kalon momente të qeta, gati përnjëherë janë hapur shumë çështje që kanë të bëjnë me futbollin, por që sportin numër një e lënë në plan të dytë.
Në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) vlerësojnë se futbolli në vend është në momentin më të mirë të tij, por, po ashtu, e cilësojnë delikate fazën aktuale, shkruan sot Koha Ditore.
Vlerësohet fazë delikate pasi kanë mbetur edhe pak ditë para se Përfaqësuesja e Kosovës të nisë kualifikimet për “Euro 2020”. Cikli i ardhshëm eliminator vlerësohet të jetë test për të parë rritjen e Përfaqësueses, të proklamuar shumë pas suksesin në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Por “frontet e hapura” në ditët e fundit, që po sfidojnë nga brenda futbollin kosovar dhe FFK-në, kanë bërë që për ndeshjet me Danimarkën dhe Bullgarinë të flitet më pak.
Ndeshja e 21 marsit ndaj Danimarkës është miqësore, ndërsa ajo e 25 marsit ndaj Bullgarisë është e para e eliminatoreve për “Euro 2020”. Të dy ndeshjet luhen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Emri i ish-presidentit të ndjerë të FFK-së, legjendës Fadil Vokrri, është përfshirë në debatin e fundit që udhëheqjes aktuale të Federatës ka gjasë t’i krijojë kundërshtarë.